Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK ka publikuar njoftimin zyrtar, ku ka ndërmarrë një operacion të gjerë në qytetin e Vlorës, duke zbardhur dy atentate mafioze të ndodhura pesë vite më parë. Bëhet fjalë për vrasjen e Gentjan Qarrit më 6 shkurt dhe ekzekutimin e Bledar Birçajt më 10 mars të vitit 2021.
Sipas hetimeve të SPAK, dyshohet se pas këtyre ngjarjeve qëndron një grup kriminal i lidhur me Inez Hajrullën, një emër i njohur për autoritetet në qytetin bregdetar. Hajrulla, i konsideruar nga hetuesit si figurë me ndikim në botën e krimit në Vlorë, ka qenë më herët edhe vetë objektiv i disa atentateve, nga të cilat ka arritur të mbijetojë.
Në kuadër të hetimit, SPAK ka lëshuar tetë urdhër-arreste për persona që dyshohen për përfshirje në vrasje dhe aktivitete të tjera kriminale, kryesisht në trafikun e lëndëve narkotike.
Operacioni u zhvillua në orët e para të mëngjesit të së shtunës, kur forca të shumta të Policisë së Shtetit, përfshirë RENEA, FNSH dhe agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, zbarkuan në Vlorë për të ekzekutuar urdhër-arrestet. Megjithatë, pavarësisht kontrolleve të shumta që zgjatën disa orë, objektivi kryesor i operacionit, Inez Hajrulla, nuk u gjet në banesë dhe nuk u arrestua.
Personat për të cilët është vendosur masa “arrest me burg” janë:
Inez Hajrulla, i dyshuar për vrasjen e Gentjan Qarrit
Ervis Matodashaj, i dyshuar për vrasjen e Gentjan Qarrit
Flodian Plaku, i njohur me nofkën “Pole Qorri”, i akuzuar për trafik droge
Hamëz Demushi, ish-punonjës policie, i akuzuar për trafik droge
Argest Xheza, i akuzuar për trafik droge
Arben Memishaj, i akuzuar për trafik droge
Mendu Duka, i akuzuar për trafik droge
Rezart Kuçi, i akuzuar për trafik droge



