Çmimet e karburanteve në Shqipëri janë rritur sërish, duke arritur mesatarisht në rreth 179 lekë për litër në pikat e shitjes. Rritja argumentohet me shtrenjtimin e naftës në bursat ndërkombëtare, pas tensioneve në Lindjen e Mesme, por ekspertët theksojnë se reagimi i tregut vendas është shumë më i shpejtë se luhatjet reale. Ndërkohë, Autoriteti i Konkurrencës ka nisur monitorimin e tregut për të verifikuar nëse rritja e çmimeve është e justifikuar apo abuzive.
“Këta i rrisin or mik. Këta magazinat e i kanë plotë… nuk i shohin letrat se sa mall ka ardhur. Po sa ngihet atje… oburra te ne. Po shihe dokumentin kur e ke marrë mallin e shkret ti. Si u ngrehka ai çmim. Ne nuk e dimë. Unë nuk i jap dot dum. Si ky lloj sistemi që bëjnë këta, unë nuk e di” , shprehet për A2 CNN një drejtues i mjetit.
Nga 174 lekë mesatarisht, një litër naftë dhe benzinë po shitet për 179 lekë në pikat e karburanteve.
“Po të rritet. Ça të bëj unë. Unë e përdor për transport makinën. Më duhet karburanti”, shprehen për A2 CNN drejtues automjetesh.
Çmimet e karburanteve rriten në Shqipëri, por jo në vendet e tjera… Maqedoninë e Veriut për shembull.
“Te ne është më pak se 1.20. E dimë që këtu në Shqipëri është shtrenjtë pasi vijnë shumë që furnizohen te ne se e kemi më lirë”, thotë një shqiptar i Maqedonisë së Veriut
Shtrenjtimi i karburanteve në vend ndodh me argumentin se lënda djegëse është rritur në bursa. Nga rreth 67 dollarë para operacionit amerikano-izraelit në Iran, aktualisht një fuçi naftë e papërpunuar po kushton pak më shumë se 77 dollarë.



