Një valë shkarkimesh ka përfshirë Policinë e Shtetit pas dështimit të kupolës drejtuese për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë protestës së opozitës, të zhvilluar një ditë më parë në kryeqytet.
Pas largimit nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, me motivacionin e mungesës së garantimit të sigurisë, është njoftuar edhe një tjetër largim i bujshëm.
Elton Alushi nuk do të jetë më drejtor i Policisë së Tiranës.
Ai është shkarkuar rreth dy vite pasi mori detyrën, ndërsa arsyeja e dhënë është e njëjtë: dështimi për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe shtetasve të huaj gjatë protestës së tensionuar dhe të dhunshme në kryeqytet.
Më 7 mars 2025, Alushi ishte thirrur në Prokurorinë e Posaçme (SPAK). Pas daljes nga godina e SPAK, ai nuk bëri asnjë koment për mediat.



