Hetimi pasuror ndaj “dajës” – Si organizata e dënuar në Itali për trafik fitoi pafajësinë në Tiranë!

spot_img
Advertisements

Një organizatë kriminale e dënuar me formë të prerë në Itali për trafikun e qindra kilogramëve drogë, arriti të fitojë pafajësinë ndaj akuzave për pastrim parash në Gjykatën e Apelit në Tiranë në vitin 2025, për shkak të dështimit të Prokurorisë për të siguruar vendimin penal të drejtësisë italiane.

Më 3 janar 2018, një bankë në Shqipëri refuzoi transferimin e 250 mijë eurove nga një llogari bankare drejt një llogarie tjetër në Holandë, me arsyetimin e kontrolleve të brendshme.
Por vetëm gjashtë ditë më pas, pothuajse e njëjta shumë u tërhoq cash nga e njëjta llogari bankare.

Transaksionet u identifikuan më vonë si pjesë e një procedimi penal për veprën e pastrimit të parave, i regjistruar në emër të shtetasit Ylli Seferi dhe rrethit të tij familjar.

Pak javë pas transaksioneve, në fund të janarit 2018, Seferi, atëherë 46 vjeç, dhe bashkëshortja e tij (Valbona Qemali) u arrestuan nga policia italiane gjatë tentativës për t’u arratisur jashtë Italisë.

Seferi, i identifikuar në Itali me nofkën “Daja”, kërkonte t’i shmangej operacionit antidrogë “Rexton”, që goditi dy rrjete trafiku të lidhura mes tyre: një grup i përbërë kryesisht nga shqiptarë, mes të cilëve edhe familjarë të Seferit, dhe një tjetër me marokenë, bashkëpunëtorë të ngushtë.

Dy muaj pas arrestimit në Itali, ndaj Seferit nisën hetime penale edhe në Shqipëri. Në prill 2018, Prokuroria e Krujës nisi një procedim penal për pastrim parash ndaj Seferit, bashkëshortes së tij dhe të birit.

Hetimet e krimit ekonomik dokumentuan një seri transaksionesh të dyshimta dhe lëvizje të pazakonta fondesh.

Kur dosja u regjistrua në gjykatë në korrik 2020, prokuroria pretendonte një qarkullim transaksionesh mbi 1 milion euro, ku përfshiheshin huatë e dy kompanive fasone me vlerë totale 250 mijë euro, tentativa e dështuar për transferimin e 250 mijë eurove drejt Holandës dhe tërheqja e mëvonshme e 255 mijë eurove cash.

Dy proceset, ai në Itali për trafik narkotikësh dhe ai në Shqipëri për pastrim parash, nisën thuajse paralelisht, por përfunduan në drejtime të kundërta.

Në Itali, Seferi, i biri dhe persona të lidhur me ta u gjetën fajtorë. Seferi u dënua me 11 vjet e 10 muaj burg dhe dënimi u bë përfundimtar në nëntor 2021, pasi Gjykata e Kasacionit në Itali rrëzoi edhe rekursin e palëve.

Në Shqipëri, çështja u regjistrua fillimisht në Krujë dhe me ndryshimin e hartës gjyqësore, u transferua në Tiranë. Në shkurt 2023, Gjykata e Tiranës i dënoi në mungesë Seferin, bashkëshorten dhe të birin me nga 5 vjet burg secilin.

Por në nëntor 2025, Gjykata e Apelit e rrëzoi vendimin dhe i shpalli të akuzuarit të pafajshëm, me argumentin se mungonte vepra bazë që do të provonte aktivitetin dhe burimin kriminal të parave.

“Nuk ka asnjë vendim penal të formës së prerë që të konfirmojë kryerjen e një vepre penale bazë”, thuhet në vendimin e Apelit, pavarësisht se në Itali, dënimi i formës së prerë ishte marrë gjashtë vjet më parë.

Të dhënat e mbledhura nga BIRN, përfshirë vendimet e aksesueshme online të Gjykatës së Kasacionit në Itali, sugjerojnë se prokuroria shqiptare nuk e solli vendimin italian në dosje dhe nuk siguroi prova për pastrim parash përtej gjurmës së transaksioneve, një boshllëk që duket se u bë vendimtar në Apel, duke i dhënë pafajësinë familjes, e cila u gjet fajtore në Itali për trafikimin e qindra kilogramëve drogë, përfshirë kokainë, hashash dhe kanabis. Vendimet e gjykatave tregojnë gjithashtu se nuk pati përpjekje për të sekuestruar pasuritë e familjes.

Bledar Valikaj, prokurori i Tiranës që ndoqi çështjen në shkallën e parë, këmbënguli se dosja s’kishte pasur mangësi sa kohë ai e kishte fituar çështjen në Gjykatën e Faktit.

“Unë jam prokuror pranë gjykatës së shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm Tiranë, ku dhe është dhënë një vendim fajësie mbi bazën e provave dhe argumentimit të bërë nga ana e prokurorisë. Komente të tjera nuk kam!”, shkroi Valikaj në përgjigje të pyetjeve të BIRN.

Por prokurori i Apelit, Genti Xholi, pranoi për BIRN se hetimi kishte pasur mangësi, por ai i kishte duart e lidhura.

“Ne në Apel gjykojmë vetëm mbi bazën e akteve që ka dosja penale dhe është Shkalla e Parë ajo që realizon hetimin dhe mbledhjen e dokumentacionit,” tha Xholi.

Ai shtoi se ende nuk kishte vendim nëse do të bëhej apo jo rekurs në Gjykatën e Lartë.

Krimi mëmë” që humbi rrugës

Të dhënat nga policia italiane e fajësonin grupin e Seferit dhe ortakët marokenë për trafikimin dhe shpërndarjen e mbi 10 tonëve hashash dhe mbi 140 kilogramëve kokainë në tre vjet, në një rrjet që përfshinte Spanjën, Holandën dhe Italinë.

Në operacione të ndryshme gjatë këtyre viteve, të dënuarve në këtë dosje iu kapën mbi 1.2 ton hashash, 22 kilogramë kokainë dhe 77 kilogramë kanabis, ndërsa u bllokuan edhe gati 200 mijë euro cash.

Sipas përshkrimit në vendimin e Gjykatës së Kasacionit të nëntorit 2021, të akuzuarit operonin në dy grupe kryesore që bashkëpunonin me njëri-tjetrin.

Grupi i parë përbëhej nga shtetas marokenë, i drejtuar nga një person i quajtur Jaber Redouane, i cili organizonte importimin e sasive të mëdha të hashashit dhe i shpërndante ato përmes bashkëpunëtorëve të tij.

Grupi i dytë, i njohur në vendimin e gjykatës si “Grupi Shqiptar”, drejtohej nga Ylli Seferi. Vendimi thotë se Seferi e menaxhonte trafikun e drogës në bashkëpunim me grupin e parë, duke përdorur një rrjet të ngushtë familjar, konkretisht djalin, nipin dhe kunatin.

Bazuar në përgjimet telefonike, ndjekjet në terren dhe drogën e kapur, gjykatat italiane e dënuan Seferin me 11 vjet e 10 muaj burg dhe kunatin e tij me më shumë se 10 vjet.

Mes të dënuarve në këtë rast është edhe Bujar Sefa nga Kruja, i arrestuar së fundmi në Dubai dhe i shpallur në kërkim nga SPAK për përfshirjen në organizatën kriminale të narkotrafikut të familjes Rraja, që përfshin djalin dhe të afërm të tjerë të ish-deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja.

Të pakënaqur me këto vendime, të dënuarit bënë rekurs në Gjykatën e Kasacionit në Itali.

Nga ana e “Grupit Shqiptar”, avokatët e Ylli Seferit dhe familjarëve të tij pretenduan se Gjykata e Apelit kishte gabuar duke i konsideruar ata si një “organizatë kriminale”.

Mbrojtja theksoi se ata ishin thjesht familjarë që ndihmonin njëri-tjetrin dhe se kjo lidhje gjaku nuk vërtetonte ekzistencën e një strukture kriminale të mirëfilltë. Gjithashtu, ata kundërshtuan provat si përgjimet e bisedave, përdorimin e makinave të përbashkëta apo pasjen e një baze në Holandë, duke i quajtur ato rrethana jo bindëse.

Gjykata e Kasacionit i hodhi poshtë të gjitha këto pretendime, duke arsyetuar ndër të tjera se fakti që anëtarët e një organizate janë familjarë, nuk e përjashton ekzistencën e saj.

“Krijimi i një organizate kriminale nuk përjashtohet nga fakti se ajo është e përqendruar kryesisht rreth anëtarëve të së njëjtës familje; sepse, përkundrazi, marrëdhëniet farefisnore ose bashkëshortore, duke iu shtuar lidhjes së grupit, e bëjnë atë edhe më të rrezikshme,” thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Kasacionit në Itali që rrëzoi rekursin.

Gjykata arsyetoi se kishte prova të forta për ekzistencën e organizatës, të tilla si përdorimi i një kodi të fshehtë komunikimi, baza logjistike, udhëtime të shpeshta dhe mjete të konsiderueshme financiare. Ajo i shpalli të papranueshme të 11 rekurset.

Hetimet në Shqipëri

Hetimi pasuror në Shqipëri nisi në prill 2018, pak muaj pas arrestimit të Ylli Seferit dhe bashkëshortes në Itali, të cilëve iu gjetën 60,000 euro cash të fshehura në makinë gjatë një tentative për t’u arratisur.

Procedimi u bazua në faktin që Seferi ishte arrestuar në vendin fqinj dhe akuzohej atje për trafik narkotikësh.

Verifikimet e policisë gjetën shpejt një sërë transaksionesh të dyshimta, përfshirë përpjekjen e dështuar për të dërguar 250 mijë euro në Holandë, pak javë para arrestimeve në Itali, ku sipas drejtësisë italiane grupi kishte një bazë prej nga siguronte kokainën. Hetimet gjetën se pas dështimit të transfertës, paratë u tërhoqën cash nga banka.

Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, në shkurt të vitit 2023, i gjeti pretendimet e prokurorisë të drejta dhe e dënoi Ylli Seferin, bashkëshorten e tij dhe të birin me nga 5 vite burg secilin për pastrim parash.

Në argumentet e tij, gjyqtari Lazër Sallaku veçon tentativën e dështuar për transferim fondesh në Holandë dhe tërheqjen masive cash si një përpjekje të grupit për të fshehur të ardhurat, pasi me gjasë ishin në dijeni të hetimit ndaj tyre.

“Të pandehurit kanë qenë në dijeni të proceseve penale apo kontrolluese të autoriteteve të huaja në lidhje me veprimtarinë e tyre”, arsyeton gjykata duke iu referuar këtij fakti.

Mungesa e vendimit të formës së prerë pranohet në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, por gjyqtari aty nuk e ka cilësuar të rëndësishme.

Megjithatë, procesi u përmbys tërësisht në Gjykatën e Apelit.

Trupi gjykues i përbërë nga Genti Shala, Brikena Ukperaj dhe Dritan Hasani rrëzoi akuzën, duke theksuar mungesën e një vendimi penal një mangësi thelbësore të dosjes së prokurorisë.

Sipas Apelit, aktiviteti kriminal i cili do t’i detyronte të akuzuarit të kryenin pastrim parash, nuk ishte provuar me vendim gjykate.

“Në përfundim, gjykata e Apelit vlerëson se, duke u mbështetur në provat e administruara, deklarimet e të pandehurve, për shkak të mungesës së veprës penale bazë, mungesës së dijenisë dhe qëllimit të autorëve dhe vlerës së dokumentuar të pasurisë, nuk ekziston përgjegjësia penale,” thuhet në arsyetim.

Pjesa tjetër e argumenteve, përfshirë përpjekjen e dështuar të transferimit të parave në Holandë, u rrëzuan po ashtu bazuar në këtë arsyetim dhe pretendimin e familjes se kishte pasur mbi 800 mijë euro të ardhura të ligjshme nga puna në Itali, mjaftueshëm për të justifikuar shumën që prokuroria pretendonte se ishte pastruar.

Por, ndryshe nga sa thonë gjykatat, vendimi penal ekzistonte. Ai kishte marrë formë të prerë prej vitit 2020 dhe ishte lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Kasacionit në Itali në vitin 2021.

Megjithatë, për 5 vite me radhë, Prokuroria e Tiranës nuk e kishte përditësuar fashikullin e gjykimit me vendimet e drejtësisë italiane, duke i lejuar avokatit të Seferit të pretendonte në Apel se ndaj tij nuk kishte vendim të formës së prerë.

Dy prokurorët që ndoqën çështjen në shkallë të parë dhe në Apel kanë qëndrime të ndryshme sa i përket hetimeve mbi rastin.

Prokurori Valikaj këmbënguli se provat ishin të mjaftueshme.

“Fakti që personat janë arrestuar në posedim të shumë kg kokaine në Itali, besoj mjafton të quhet veprimtari kriminale”, tha Valikaj.

Ai shtoi se prokuroria kishte paraqitur “çdo akt e vendim që vërtetonte këtë fakt dhe për këtë arsye në shkallë të parë këta shtetas janë dënuar”.

Prokurori i Apelit, Genti Xholi thotë se rezultati tregon se dosja ka pasur probleme.

“Për rastin edhe një herë ju them se Gjykata e Apelit gjykon me atë që ka dosja; ne nuk bëjmë hetime. Në rast se gjendja është e tillë, rreziku është që vendimmarrja të jetë siç është rasti”, tha Xholi.

Ai tha se dosja duhet të jetë e plotë para se të shkohej në gjykatë, ndërsa kaloi një pjesë të përgjegjësisë te Policia, që sipas tij i zvarrit këto hetime në kohë pa rezultat.

Xholi shtoi se hetimet pasurore në Shqipëri ishin të vështira edhe për shkak të mungesës së deklarimeve financiare periodike që lejonin tjetërsimin e pasurisë dhe regjistrimin nën emra të të tretëve, dhe se për këtë vendimi penal bëhej i domosdoshëm.

“Në një shoqëri informale si e jona, në mendimin tim, duhet një vendim penal për të pasur sukses në hetim pasuror,” përfundoi ai./BIRN

spot_img

Latest articles

Related articles