Deputetja e PS, Kiduina Zaka kritikoi Ina Zhupën se po përkrah Berishën pas gjuhës që ai përdori për Ballukun. Më pas, u ndal te debati për dhunën në protestën e PD duke thënë se nuk beson që kjo është zgjedhja e popullit opozitar. Ajo u shpreh se si vajza e një ish-polici, e kupton dhimbjen e familjeve të efektivëve të lënduar prej protestës së opozitës.“Jeni katandisur si një orkestër, doktor, bëni muzikë me një dajre të prodhuar 81 vite më parë, dhe veglat muzikore të opozitës tuaj vijojnë të njëjtën vijë melodike. Më vjen keq që koleget e opozitës në vend të kritikojnë gjuhën e përdorur, dalin të mbrojnë gjuhën seksiste ndaj kolegeve. Po me ty Ina e kam, (Zhupën). Sot duhej të kishit kritikuar drejtuesin tuaj madhështor. Snajperat i ke fiksim vite më parë, por më vjen keq për ata policë që janë lënduar nga protesta juaj paqësore me molotovë drejtuar trupave të Policisë Së Shtetit. Unë besoj që populli opozitar nuk është ai që bën këto protesta të dhunshme. Populli opozitar di të protestojë në mënyrë paqësore, jo me dhunën që ju nxisni. Si bijë e një ish-polici, e di shumë mirë sesa e dhimbshme është për ato familje, nëna, fëmijë, që presin prindërit e tyre, bijtë e tyre të mbarojnë detyrën dhe të kthehen shëndoshë e mirë në shtëpi. Ju jeni askushi që t’i dëmtoni dhe t’i vrisni!”, tha Zaka.



