Gjykata Kundër Krimit dhe Korrupsionit të Organizuar (GJKKO) me datë 24 shkurt, ora 14:00 do të mbajë procesin e radhës ndaj ish-zv.kryeminsitrit Arben Ahmetaj.
Sipas burimeve jozyrtare bëhet me dije se dëshmitari i parë që do të thirret është Lirim Fejzollari.
Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj tashmë i arratisur nga Shqipëria, për shkak të hetimeve të ngritura nga drejtësia shqiptare, lidhur me funksionet publike të cilët ai ka ushtruar.
Në nëntor të vitit 2018, Ministri i Zhvillimit Ekonomik të asaj kohe, Arben Ahmetaj, urdhëroi anulimin e një ankandi të zhvilluar në vitin 2015, për shitjen e rreth 46 përqind të aksioneve të kompanisë publike “Buka” sha tek biznesmeni Lirim Fezollari, i cili zotëronte edhe 40 përqind të tjera të aksioneve. Vendimi për anulimin e këtij ankandi ishte në vijim të një vendimi të formës së prerë, të marrë më herët nga Gjykata e Apelit Administrativ. Por, ky vendim, megjithëse ka firmën dhe vulën e ministrit, nuk rezulton të jetë reflektuar zyrtarisht.
Të paktën, urdhëri i Ahmetaj nuk ka mbërritur dhe nuk është reflektuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB). Nga një verifikim i kryer së fundmi nga media rezulton se biznesmeni Fezollari vijon të zotërojë ende 89.4 përqind të aksioneve, ku përfshihen edhe ato të blear në ankandin e zhvilluar nga Arben Ahmetaj në vitin 2015.
Të jetë thjesht një lapsus, harresë apo e qëllimshme? Pikëpyetjet janë të forta, sidomos duke mbajtur në konsideratë faktin se biznesmeni Lirim Fezollari, si aksioneri kryesor i “Buka” sha, ka shitur një pjesë të konsiderueshme të aseteve tek kompania“Tobacco Holding Group”, e cila është në pronësi po të tij.




