Shefi i Telegram: Nuk ju përgjigjemi kërkesave të autoriteteve ruse

spot_img
Advertisements

Themeluesi i Telegram, Pavel Durov, deklaroi të martën vonë se aplikacioni i mesazheve nuk do t’i përkulet presionit të autoriteteve ruse, duke theksuar se platforma “qëndron për lirinë dhe privatësinë, pavarësisht presionit”, përcjell DW.

Reagimi i tij erdhi pasi rregullatori shtetëror rus i komunikimeve, Roskomnadzor, njoftoi më herët gjatë ditës se Telegram do të përballet me kufizime të mëtejshme, pasi sipas tij nuk ka korrigjuar shkeljet e mëparshme të ligjit.

Përdorues në Rusi raportuan ngadalësim të trafikut dhe vonesa në shkarkime gjatë së martës, ndërsa autoritetet shtuan kontrollet mbi një nga platformat kryesore të komunikimit publik dhe privat në vend.

Në një deklaratë të cituar nga mediat shtetërore, Roskomnadzor bëri të ditur se do të “vazhdojë të vendosë kufizime graduale” ndaj Telegram, për shkak të mosrespektimit të ligjeve ruse.

“Sikurse më parë, ligji rus nuk po respektohet, të dhënat personale nuk po mbrohen dhe nuk ka masa efektive për të luftuar mashtrimet dhe përdorimin e aplikacionit për qëllime kriminale dhe terroriste”, thuhet në deklaratë.

Ligjet ruse kërkojnë që kompanitë të ruajnë të dhënat e përdoruesve rusë brenda territorit të vendit dhe të ndërmarrin masa për të parandaluar përdorimin e platformave për qëllime që Moska i cilëson si kriminale apo terroriste.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se është “për të ardhur keq që kompania nuk po zbaton ligjet që duhet të respektohen”.

Sipas agjencisë shtetërore RIA, Telegram përballet me gjoba deri në 64 milionë rubla (rreth 827 mijë dollarë) në tetë seanca gjyqësore të ardhshme, ndërsa autoritetet kërkojnë të arkëtojnë edhe 9 milionë rubla të tjera në penalitete të papaguara.

Nga ana e tij, Durov i cilësoi masat si përpjekje për t’i shtyrë përdoruesit drejt një “alternative të mbështetur nga shteti, e ndërtuar për mbikëqyrje dhe censurë politike”.

Ai duket se i referohej aplikacionit MAX, i lançuar nga Rusia vitin e kaluar.

“Kufizimi i lirisë së qytetarëve nuk është kurrë zgjidhja e duhur. Telegram qëndron për lirinë e shprehjes dhe privatësinë, pavarësisht presionit”, tha Durov.

Rusia kishte tentuar më parë ta bllokonte Telegram-in, por dështoi ta kufizonte aksesin dhe e hoqi ndalimin në vitin 2020.

Pavel Durov, i cili mban edhe shtetësi franceze dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe, u arrestua në Francë në vitin 2024 në kuadër të një hetimi për krime që përfshinin pornografi me të mitur, trafik droge dhe transaksione mashtruese të lidhura me përdorimin e aplikacionit.

Durov ka mohuar që Telegram të ketë lehtësuar në mënyrë aktive aktivitete kriminale. Autoritetet franceze hoqën më vonë kufizimet e udhëtimit që i ishin vendosur gjatë hetimit.

Telegram konsiderohet një nga alternativat kryesore ndaj aplikacioneve si WhatsApp dhe përdoret gjerësisht në Rusi dhe vende të tjera.

spot_img

Latest articles

Related articles