Bashkimi Evropian ka reaguar lidhur me mosveprimin e Kuvendit të Shqipërisë për kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e pezulluar nga detyra dhe për të cilën masën e ka mbajtur në fuqi edhe Gjykata Kushtetuese.
Komisioni Europian i kërkon Kuvendit që “të adresojë pa vonesë heqjen e imunitetit të ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku”, duke theksuar se lufta efektive kundër korrupsionit është e një rëndësie parësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE dhe pritshmërinë e qytetarëve të saj.
BE vlerëson se çdo përpjekje për ndërhyrje ose presion të padrejtë mbi sistemin gjyqësor është shqetësuese dhe mund të ndikojë negativisht në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit. Komisioni do të monitorojë nga afër situatën dhe do të vazhdojë të mbështesë konsolidimin e sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit në vend.
Institucionet e BE-së do të diskutojnë situatën gjatë Komitetit BE–Shqipëri për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë që do të mbahet në fillim të marsit, si pjesë e dialogut të vazhdueshëm mbi reformën në drejtësi në Shqipëri



