Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e paralajmëruar më 10 shkurt përpara Kryeministrisë, duke e cilësuar atë si një moment vendimtar për të ardhmen e vendit.
Në deklaratën e tij, Noka u shpreh se rrëzimi i asaj që ai e quan “narkoregjim” është i domosdoshëm për të shpëtuar Shqipërinë nga shpopullimi dhe nga rreziku i shndërrimit në një mikroshtet.
Sipas tij, vendi është i bekuar me pasuri natyrore dhe duhet të jetë “parajsa e shqiptarëve” dhe jo një vendstrehim për krimin e organizuar.
Ai theksoi gjithashtu se protesta synon t’i dërgojë një mesazh të qartë Bashkimit Europian, duke deklaruar se shoqëria shqiptare nuk pranon antivlerat, politikat që cenojnë familjen, si dhe ndikimin e asaj që ai e cilësoi si mafia e ndërtimit dhe e pastrimit të parave.
“10 shkurti po afron. Rrëzimi i narkoregjimit do e shpëtojë vendin tonë nga shpopullimi total, nga katandisja në një mikroshtet. Shqipëria është bekuar me pasuri natyrore për të qenë parajsa e shqiptarëve dhe jo vendstrehimi i krimit të organizuar. Përpara kryeministrisë, t’i tregojmë mbarë botës se shqiptarët nuk i përulen regjimeve të inkriminuara, se pushtetin ta jep vetëm vota e lirë dhe vullneti i popullit sovran, e jo paratë e pista të drogës! Përpara kryeministrisë, për t’i treguar Bashkimit Europian se shoqëria shqiptare nuk i përulet antivlerave, politikave të antifamiljes dhe mafias së ndërtimit e të pastrimit të parave që sponsorizojnë Edi Ramën!”, shkruan Noka.



