Një situatë e paprecedentë është krijuar pas marrjes në intervistë të 8 kandidatëve për kreun e ri të Gardës së Republikës, ku i preferuari i Kryeministrisë nuk ka marrë pikët e duhura dhe për rrjedhojë i gjithë procesi është sanksionuar i dështuar nga Ministria e Brendshme, duke lënë 7 kandidatët e tjerë të habitur me seriozitetin e procesit.
KOMUNIKIMI i Ministrisë së punëve të Brendshme për 8 kandidatët:
I nderuar
Në vijim të procedurës së konkurrimit për përzgjedhjen e kandidatit për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës, të zhvilluar në zbatim të Udhëzimit të Ministrit të Brendshëm nr. 102, datë 05.06.2024, ju informojmë se, pas përfundimit të të gjitha fazave të parashikuara të verifikimit dhe vlerësimit të kandidaturave, procedura nuk është finalizuar me shpalljen e një kandidature fituese.
Procesi është zhvilluar në përputhje të plotë me kuadrin ligjor dhe nënligjor në fuqi, duke garantuar respektimin e parimeve të ligjshmërisë, transparencës, paanshmërisë, meritokracisë dhe mundësive të barabarta.
Ju falënderojmë për pjesëmarrjen dhe interesin e treguar.



