Autoritetet federale të SHBA-së po hetojnë akuzat se personeli i Meta Platforms Inc., pronari i WhatsApp, kishte qasje në përmbajtjen e mesazheve, pavarësisht se kompania e reklamon aplikacionin si të mbrojtur nga enkriptimi “skaj-më-skaj” (end-to-end encryption), raportoi Bloomberg të enjten.
Agjentë specialë nga Zyra e Industrisë dhe Sigurisë e Departamentit të Tregtisë së SHBA-së kanë shqyrtuar pretendimet e ish-kontraktorëve të Meta-s, të cilët pohuan se ata dhe stafi i Meta-s kishin “qasje të pakufizuar” në mesazhet e WhatsApp.
Një kontraktor i tha një hetuesi se një punonjës i ekipit të Facebook konfirmoi se ata mund të “shkonin prapa në kohë në mesazhet (e enkriptuara) të WhatsApp”, duke përfshirë edhe rastet kriminale, sipas një raporti të një agjenti të shqyrtuar nga Bloomberg.
WhatsApp, i cili u ble nga Meta në vitin 2014, këmbëngul në faqen e tij të internetit se “asnjë person jashtë bisedës, madje as WhatsApp, nuk mund të lexojë, dëgjojë apo ndajë” atë që thotë një përdorues.
Zëdhënësi i Meta-s, Andy Stone, gjithashtu i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se “ajo që pretendojnë këta individë nuk është e mundur, sepse WhatsApp, punonjësit dhe kontraktorët e tij, nuk mund të kenë qasje në komunikimet e enkriptuara të njerëzve.”
Bloomberg vuri në dukje se hetimi, i quajtur brenda kompanisë si “Operacioni Enkriptimi i Buruar” (Operation Sourced Encryption), u përshkrua si i vazhdueshëm në një dokument të korrikut 2025 dhe thuhet se ishte aktiv deri kohët e fundit, në janar. Megjithatë, statusi i tij aktual është i paqartë, tha media, duke vërejtur se shumë hetime të tilla përfundojnë “pa asnjë akuzë formale për shkelje.”
Hetimi pason një padi kolektive të fundit kundër Meta-s, e cila pretendon se kompania mund të ketë qasje dhe të analizojë pothuajse të gjitha komunikimet në WhatsApp. Këto pretendime kanë përforcuar skepticizmin e kahershëm nga konkurrentët dhe zyrtarët.
E kontrolluar nga miliarderi Mark Zuckerberg, Meta zotëron gjithashtu Facebook-un dhe Instagram-in. Në vitin 2019, ajo i pagoi qeverisë federale të SHBA-së 5 miliardë dollarë për një skandal të privatësisë së të dhënave që përfshinte vjeljen e paautorizuar të informacioneve personale të miliona përdoruesve të Facebook nga firma konsulente britanike, Cambridge Analytica, për qëllime reklamimi politik



