Skandali i mbetjeve të rrezikshme të KURUM ka shkaktuar përplasje të forta brenda Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM). Më datë 27 janar, Marjeta Përlala, drejtoreshë e Përgjithshme e AKM-së, delegoi kompetencat tek e besuara e saj, Elona Uzmutlu, në një lëvizje që duket e lidhur me shqetësimin për ecurinë e hetimeve.
Megjithatë, Uzmutlu ende nuk kishte hyrë në zyrën e drejtoreshës, kur Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, nxori një urdhër të ri, duke ia deleguar kompetencat e Drejtorit të Përgjithshëm të AKM-së të besuarit të tij, Athanas Karaja.
Me gjasë, zhvillimet e reja për çështjen e mbetjeve të KURUM pritet të sjellin edhe një pasqyrë të re në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, ku interesat e ministrit të ri dhe të drejtuesve të këtij institucioni qartësisht kanë nisur të përplasen, ashtu siç ndodhi në Bashkinë e Tiranës me largimin e Erion Veliajt. Orët në vazhdim do të tregojnë më qartë se cila do të jetë panorama në atë që pritet të ndodhë me një nga çështjet më të nxehta dhe më pak të prekura nga shtypi: atë të mbetjeve të konsideruara të rrezikshme të KURUM, të transportuara nga porti i Durrësit, përfshirë edhe përgjegjësinë e drejtuesve të kompanisë dhe institucioneve shqiptare në këtë proces.



