Tenderi për reagentët e analizave të gjakut| Allajbeu fiton me ofertën sa 99.9% të fondit limit! Hesht PD

spot_img
Advertisements

Qeveria vijon t’i akordojë tendera kompanisë “Evita” sh.p.k, në pronësi të biznesmenit të Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu.

Në tenderin e shpallur nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara për furnizimin me materiale laboratorike që përdoren për kontrollin e gjakut dhe zbulimin e viruseve infektive, me një vlerë prej 1.6 miliardë lekësh, fitues u shpall bashkimi i operatorëve “Pegasus” sh.p.k dhe “Evita” sh.p.k.

Por për të shpallur subjektet në fjalë, Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka skualifikuar kompaninë tjetër pjesëmarrëse në garë, “…” sh.p.k, e cila kishte paraqitur ofertën më të ulët ekonomike.

Tenderi ka për qëllim furnizimin e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut me lëndë që futet në pajisje laboratorike të cilat shërbejnë për kontrollin e gjakut dhe zbulimin e viruseve infektive përpara transfuzioneve.

Oferta e paraqitur nga kompania e Klodian Allajbeut dhe ortaku i tij i hershëm, Janis Karathano, kap vlerën sa 99.9% të fondit limit dhe duke qenë 51 milionë lekë më e lartë se oferta e kompanisë tjetër në garë, e cila u skualifikua.

Në këtë mënyrë, Operatori i Blerjeve të Përqendruara, shoqëri me kapital shtetëror e krijuar nga Këshilli i Ministrave për realizimin e prokurimeve për institucionet publike, nuk ka zgjedhur ofertën më ekonomike për të kursyer 51 milionë lekë nga buxheti i shtetit për këtë prokurim.

Kjo procedurë i shtohet rasteve të tjera kur prokurimet publike realizohen pa konkurrencë reale, duke ngritur dyshime për favorizim të kompanive të caktuara.

Klodian Allajbeu dhe Janis Karathano janë ndër përfituesit më të mëdhenj të parave në shëndetësi. Ata janë ortakë edhe në një nga koncensionet më të mëdha në shëndetësi, siç është ai i Laboratorëve, me vlerë 130 milionë euro, që në total ka shkuar në 214 milionë euro. Sipas kritikëve, këto kontrata nuk ofrojnë shërbimin minimal për pacientët, ndërsa biznesmenët vijon të përfitojë tendera publikë përmes procedurave të dyshimta.

spot_img

Latest articles

Related articles