Dy vëllezër shqiptarë me precedentë penalë në Greqi janë arrestuar nga policia greke si autorë të dyshuar të shpërthimit me eksploziv në diskotekën “Jacky.O”, në rrugën Michalakopoulou të Athinës, mbrëmjen e 7 tetorit 2025.
Në pranga ranë Blerim Buçi, 41 vjeç, dhe Besmir Buçi, 32 vjeç, të dy banues në Tiranë. Përveç akuzës për vendosjen e lëndës shpërthyese, ndaj tyre rezultonte aktiv edhe një urdhër arresti për shkelje të kushteve kufizuese të qëndrimit, grabitje dhe shkelje të legjislacionit për armët.
Sipas hetimeve, 32-vjeçari Besmir Buçi pasi parkoi automjetin pranë lokalit, iu afrua në këmbë diskotekës, ku vendosi dhe aktivizoi një mjet shpërthyes të improvizuar. Më pas, ai u rikthye në automjet, ku e priste vëllai i tij, Blerim Buçi, dhe të dy u larguan nga vendngjarja.



