Kompania Mabco Constructions SA, aksioneri mazhoritar me 98 përqind të kapitalit të Vlora International Airport – VIA sh.p.k., ka dalë me një deklaratë zyrtare publike ku denoncon si të paligjshëm emërimin e Vegim Hoxhës në detyrën e administratorit të shoqërisë. Sipas Mabco, ky emërim është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin shqiptar dhe statutin e vetë VIA-s, pa vendim të rregullt të Asamblesë së Ortakëve dhe nga një ortak minoritar që zotëron vetëm 2 përqind të kuotave.
Në deklaratë theksohet se Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e Mabco dhe ka vendosur masë sigurimi, duke kufizuar kompetencat e Vegim Hoxhës deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes.
Kompania zvicerane paralajmëron publikisht të gjitha palët e treta se çdo kontratë apo akt juridik i firmosur prej tij në emër të VIA-s konsiderohet i pavlefshëm, duke shtuar edhe një tjetër kapitull konfliktual në sagën juridike dhe institucionale të aeroportit të Vlorës.
DEKLARATË PËR SHTYP
LUGANO, ZVICËR – Mabco Constructions SA, në cilësinë e ortakut mazhoritar që zotëron 98% të kapitalit të shoqërisë Vlora International Airport – VIA sh.p.k (“VIA”), ndjen detyrimin të informojë opinionin publik dhe të gjitha palët e interesuara, lidhur me situatën juridike të krijuar nga emërimi i paligjshëm i z. Vegim Hoxha si administrator i VIA-s.
Mabco Constructions SA sqaron se z. Vegim Hoxha nuk gëzon dhe nuk ka gëzuar në asnjë moment statusin e administratorit të ligjshëm të VIA-s. Emërimi i tij është bazuar në një vendimmarrje tërësisht të pavlefshme, e marrë në mungesë të një vendimi të rregullt të Asamblesë së Përgjithshme të Ortakëve të VIA-s, e cila nuk është thirrur, njoftuar dhe zhvilluar në përputhje me kërkesat e legjislacionit shqiptar. Konkretisht, ky vendim është marrë në mënyrë të njëanshme nga ortaku tjetër i VIA-s, shoqëria 2A Group sh.p.k., e cila zotëron vetëm 2% të kuotave të kapitalit, në një juridiksion ku ligji parashikon shprehimisht një kuorum minimal prej 30% të kapitalit për emërimin e administratorit.
Përballë kësaj shkeljeje serioze të ligjit, Mabco Constructions SA ka ushtruar të gjitha mjetet juridike të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, duke depozituar kërkesëpadi për konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit të paligjshëm të emërimit të z. Vegim Hoxha, si dhe duke kërkuar vendosjen e masës së sigurimit të padisë. Kjo kërkesë është pranuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë me vendimin nr. 1169, datë 19.12.2025, në zbatim të të cilit z. Vegim Hoxha nuk është i autorizuar të ushtrojë kompetenca të plota administrimi, por vetëm veprime strikt të kufizuara dhe të përcaktuara shprehimisht nga gjykata, deri në zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje.
Në këtë kuadër, Mabco Constructions SA informon dhe paralajmëron çdo palë të tretë se:
- Z. Vegim Hoxha nuk është i autorizuar në mënyrë të rregullt ligjore të përfaqësojë shoqërinë VIA sh.p.k. apo të lidhë kontrata në emër të VIA. Vetë Statuti i VIA-s kërkon specifikisht miratimin e ortakëve të saj për çdo veprim të administratorit;
- Çdo akt, kontratë apo veprim juridik i ndërmarrë apo që do të ndërmerret në të ardhmen prej z. Vegim Hoxha në emër të VIA-s është dhe do të konsiderohet nga Mabco si prima facie i pavlefshëm dhe Mabco do të ndjekë të gjitha mjetët dhe rrugët ligjore për mbrojtjen e interesave të saj dhe të VIA-s;
- Çdo palë e tretë që hyn në marrëdhënie juridike me VIA-s të përfaqësuar nga z. Hoxha, e bën këtë duke marrë përsipër rreziqet sa më lart në mënyrë të plotë.
Kjo deklaratë synon të garantojë transparencë, siguri juridike dhe korrektësi në marrëdhëniet me të gjitha palët e interesuara.



