Trump: Kush kundërshton marrjen e Groenlandës do të ketë tarifa! Reagojnë vendet e BE

spot_img
Advertisements

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Sir Keir Starmer, ka reaguar ashpër ndaj kërcënimit të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave ndaj vendeve europiane në lidhje me Groenlandën, duke e cilësuar këtë qasje si plotësisht të gabuar. Reagimi i Starmer vjen pas deklaratave të përsëritura nga Shtëpia e Bardhë se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë një sërë opsionesh për të rritur ndikimin e tyre mbi Groenlandën, përfshirë tarifat tregtare, blerjen e territorit apo edhe skenarë ekstremë të përdorimit të forcës.

Në këtë kontekst, Sir Keir Starmer deklaroi qartë se qëndrimi i Mbretërisë së Bashkuar është i palëkundur. “Groenlanda është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës dhe e ardhmja e saj është çështje e banorëve të ishullit dhe danezëve. Siguria në Arktik është e rëndësishme për të gjithë NATO-n dhe aleatët duhet të veprojnë së bashku për t’iu përgjigjur kërcënimit rus. Vendosja e tarifave ndaj aleatëve për shkak të sigurisë kolektive është plotësisht e gabuar”, tha Starmer.

Reagime të forta kanë ardhur edhe nga liderë të tjerë europianë. Kryeministri suedez Ulf Kristersson deklaroi se Suedia nuk do të lejojë të shantazhohet dhe se vetëm Danimarka dhe Groenlanda kanë të drejtë të vendosin për çështjet e tyre. Ai theksoi se kjo është një çështje e Bashkimit Europian dhe se Suedia po zhvillon diskutime intensive me vendet e tjera të BE-së, si Norvegjinë dhe Mbretërinë e Bashkuar për një përgjigje të përbashkët.

Presidenti francez Emmanuel Macron u shpreh se Franca mbetet e përkushtuar ndaj sovranitetit dhe pavarësisë së kombeve, duke i quajtur kërcënimet me tarifa si të papranueshme. Ai paralajmëroi se Europa do të reagojë në mënyrë të bashkuar dhe të koordinuar, nëse këto masa konfirmohen.

Trump lajmëron tarifa të reja për vendet e Europës që janë kundër blerjes së Groenlandës nga SHBA
Edhe brenda Danimarkës reagimet kanë qenë të ashpra. Politikanë danezë kanë deklaruar se vendi nuk duhet t’i nënshtrohet metodave të bullizmit të Trump, ndërsa thirrjet për solidaritet europian janë shtuar. Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, njoftoi se po koordinohet një përgjigje e përbashkët, duke theksuar se BE-ja do të mbrojë me vendosmëri të drejtën ndërkombëtare dhe integritetin territorial të shteteve anëtare.

Kërcënimi i fundit i Trump vjen pavarësisht një marrëveshjeje të arritur më parë mes SHBA-së dhe BE-së për tarifat, ku ishte rënë dakord për një tarifë 15% mbi mallrat e BE-së që eksportohen në SHBA, më e ulët se kërcënimi fillestar prej 30%. Sipas njoftimit të ri, vende si Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda do të përballen me tarifa 10% nga 1 shkurti, të cilat do të rriten në 25% pas 1 qershorit.


Kjo situatë ka hapur një krizë të re në marrëdhëniet transatlantike, duke vënë në provë unitetin e NATO-s dhe Bashkimit Europian. Liderët europianë po dërgojnë një mesazh të qartë: sovraniteti kombëtar dhe e drejta e vetëvendosjes nuk janë objekt pazari dhe nuk mund të imponohen përmes presionit ekonomik.

Groenlanda është një territor autonom që i përket Mbretërisë së Danimarkës, me vetëqeverisje dhe parlament të vetin. Çdo ide për marrjen e Groenlandës me forcë do të kishte pasoja diplomatike, pasi do të përbënte një sulm ndaj territorit të një aleati të NATO-s. Ekspertët e sigurisë e konsiderojnë këtë skenar jashtëzakonisht të pamundur, për shkak të pasojave politike dhe ushtarake që do të sillte

spot_img

Latest articles

Related articles