Kompania zvicerane MABCO Constructions, aksionere mazhoritare me 98 për qind të kapitalit në Vlora International Airport, ka dalë publikisht me një deklaratë për shtyp, ku denoncon atë që e cilëson si një tentativë të organizuar për shpronësim dhe bllokim të paligjshëm të investimit në Aeroportin e Vlorës.
Në deklaratën e shpërndarë nga Tirana dhe Lugano, MABCO paralajmëron se po përballet me “një skemë të mirëorganizuar që synon shpronësimin de facto dhe de jure të investitorit shumicë dhe paralizimin e një prej investimeve më strategjike në Shqipëri”.
Sipas kompanisë, kjo po realizohet përmes vendimeve gjyqësore të marra në mënyrë të fshehtë dhe në kundërshtim me parimet themelore të së drejtës tregtare.
Thelbi i konfliktit lidhet me faktin se, sipas MABCO, gjykatat i kanë dhënë një aksioneri minoritar, me vetëm 2 për qind të aksioneve, të drejtën për të bllokuar funksionimin e shoqërisë përmes vendimeve kontradiktore të gjykatës.
Në deklaratë ngrihet alarm edhe për sigurinë dhe interesin publik. MABCO thekson se “ky ngërç artificial ka paralizuar punimet në Aeroportin e Vlorës” dhe paralajmëron se vijimi i punimeve pa mbikëqyrjen e aksionerit mazhoritar “përbën një rrezik serioz për standardet teknike dhe sigurinë e ardhshme të qytetarëve”.
DEKLARATË E PLOTË PËR SHTYP NGA MABCO
TIRANË / LUGANO, JANAR 2026 – Shoqëria zvicerane MABCO, zotëruese e 98% të aksioneve të kompanisë VIA (Vlora International Airport), denoncon publikisht një skemë të mirëorganizuar që synon shpronësimin de facto dhe de jure të investitorit shumicë dhe paralizimin e një prej investimeve më strategjike në Shqipëri.
Përmes vendimeve të kontestueshme gjyqësore, MABCO-s po i bllokohet çdo e drejtë në shoqërinë ku ajo zotëron pothuajse të gjithë kapitalin, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për sigurinë juridike dhe investimet e huaja në vend.
Shkeljet kryesore të evidentuara:
- Përmbysja e parimeve tregtare: Në një rast të paprecedent, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë i ka njohur një aksioneri minoritar (me vetëm 2% të aksioneve) të drejtën për të bllokuar të drejtat, vullnetin dhe vendimmarrjen e aksionerit që zotëron 98% të kapitalit.
- Arbitrariteti procedural: Vendimet e gjyqtarëve Fatmir Ndreu dhe Marjana Shegani janë marrë në mungesë të plotë të përfaqësuesve të MABCO-s, pa njoftim paraprak dhe në fshehtësi, duke shkelur parimin e kontradiktorialitetit.
- Zvarritja e qëllimshme: Ndonëse vendimi i gjyqtares Shegani është dhënë mbi tre javë më parë, pala jonë ende nuk është njoftuar zyrtarisht. Kjo vonesë po përdoret si mjet për të zvarritur procesin e ankimimit në Gjykatën e Apelit.
- Shpërfillja e hierarkisë gjyqësore: Pavarësisht se Gjykata e Apelit e rrëzoi më parë vendimin e gjyqtarit Fatmir Ndreu, një vendim pothuajse identik është rishfaqur nga Gjykata e Shkallës së Parë vetëm një ditë më pas, duke sfiduar hapur vendimmarrjen e një gjykate më të lartë. Kjo përmbysje e hierarkisë gjyqësore, do të përbënte kudo një rast për të hetuar deri në fund motivet që kanë çuar gjyqtaren në shpërfilljen e vendimit të një gjykate më të lartë.
Alarmi për sigurinë dhe kostoja publike
MABCO thekson se ky ngërç artificial ka paralizuar punimet në Aeroportin e Vlorës. Për më tepër, vijimi i punimeve pa mbikëqyrjen dhe kontrollin e aksionerit shumicë përbën një rrezik serioz për standardet teknike dhe sigurinë e ardhshme të qytetarëve. Ky skenar nuk dëmton vetëm investitorin zviceran, por rëndon drejtpërdrejt mbi qytetarët shqiptarë, të cilët rrezikojnë të paguajnë koston e dështimit të një projekti që duhet të bëhet funksional së shpejti.
Thirrje për ndërhyrje të menjëhershme
MABCO u bën thirrje zyrtare:
- Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë dhe organeve të inspektimit të hetojnë menjëherë motivet dhe procedurat e ndjekura nga gjyqtarët e përfshirë.
- Institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare të ndërhyjnë për të ndalur këtë tentativë për “plaçkitje” juridike të një investitori të huaj.
MABCO mbetet e vendosur të mbrojë investimin e saj qindra milionë eurosh në të gjitha instancat e drejtësisë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, për të garantuar që ky projekt strategjik të mos mbetet peng i interesave të dyshimta.
Shoqëria MABCO (Lugano, Zvicër) Aksionere mazhoritare e VIA Sh.P.K.



