Një numër klientësh të Bankës Kombëtare Tregtare janë përballur me një surprizë të pakëndshme, teksa kartat e tyre janë zbrazur në mënyrë të mistershme.
Kapitali identifikoi një sërë rastesh ku kartat rezultojnë të jenë përdorura në shtete të ndryshme.
Në një rast, karta e një qytetari rezultonte të ishte përdorur në Bullgari duke bërë blerje për një shumë të konsiderueshme me mijëra euro. Në një tjetër rast, paratë ishin marrë në Itali, e kështu me radhë. Pas këtyre informacioneve, Kapitali iu drejtua BKT-së zyrtarisht për të mësuar se çfarë ka ndodhur.
Banka pranoi se kartat janë klonuar nga një automat në Tiranë, ku autorët e vjedhjes kishin instaluar një kamera. BKT-së thotë se ky fenomen ka zgjatur vetëm një orë dhe pastaj thyerja e sigurisë është diktuar nga stafi i saj, ndaj sipas Bankës numri i kartave është që janë klonuar është i vogël. Ndërkohë BKT bën të ditur gjithashtu se qytetarët që kanë rënë pre e vjedhjes do të rimbursohen plotësisht.
Kapitali nuk arriti të provojë përmasat e fenomenin në mënyrë të pavarur. Por fakti që arriti të identifikojë disa raste brenda një kohë të shkurtër tregon se fenomeni mund të jetë më i madh nga sa pranon vetë banka.
Gjithsesi përtej përmasave, thyerja e sigurisë në bankën më të madhe të vendit përbën një shqetësim, i cili ngre edhe një herë nevojën për investime masive në sigurinë kibernetike nga sektori bankar, veçanërisht në epokën e dixhitalizimit


