Shqipëria prej kohësh është anëtare e NATO-s dhe po ashtu ka një kolegj për sigurinë dhe mbrojtjen për trajnimin e përgatitjen e ushtarakëve në shumë fusha. Mes tyre edhe teknologjinë e informacionit. Por një audit i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka zbuluar se kompjuterat në këtë institucion, Kolegji i Mbrojtjes dhe Sigurisë (KMS), janë me Windows për të cilin s’ka më support. Ndër të tjera, KLSH thotë se ky institucion publik nuk ka një rregullore të brendshme funksionimi.
Pjesë nga raporti
Nga auditimi mbi sistemet e operimit (OS) dhe versionet e tyre, për periudhën objekt auditimi, u konstatua se KMS ka në total 66 kompjutera, ku rezultuan të jenë si më poshtë:
12 kompjutera janë me sistemin operativ Windows 11 – të cilët aktualisht janë në suport.
44 kompjutera janë me sistemin operativ Windows 10 – të cilët janë në suport, që përfundon më 14 tetor 2025. Pas kësaj date Microsoft nuk do të ofrojë më përditësime sigurie, rregullime të gabimeve apo mbështetje teknike për Windows 10. Nëse Windows 10 do të vazhdojë të funksionojë, ai do të bëhet gjithnjë e më i prekshëm ndaj kërcënimeve të sigurisë dhe mund të sjellë edhe probleme të përputhshmërisë me software dhe hardware më të reja;
10 kompjutera janë me sistemin operativ Windows 7 – për të cilët nuk ofrohen më përditësime sigurie, duke e bërë përdorimin e tyre një rrezik të madh për sigurinë, bazuar në zhvillimet teknologjike të sistemeve të operimit dhe Standardet Ndërkombëtare të Sigurisë së Informacionit ISO/IEC 27001:2022.
Nga auditimi u konstatua se KMS nuk disponon një rregullore të brendshme në të cilën të përcaktohen rregullat e organizimit dhe funksionimit të veprimtarisë institucionale, si dhe detyrat funksionale të punonjësve, duke përfshirë edhe teknologjinë e informacionit. Grupit të auditimit iu vendos në dispozicion një rregullore e cila është akoma në versionin draft, pasi nuk është e miratuar me urdhër të Komandantit të Kolegjit. Gjithashtu, draft-rregullorja e vendosur në dispozicion grupit të auditimit nuk është në përputhje me përshkrimet e miratuara për çdo pozicion pune, sipas Urdhrit nr. 262/1, datë 27.12.2023 “Për miratimin e përshkrimit të pozicioneve të punës në Kolegjin e Mbrojtjes dhe Sigurisë”.


