Dobësimi i pandalshëm i Ramës – ANALIZA

spot_img
Advertisements

Nga Fitim ZEKTHI

Kryeministri Rama po përballet me vështirësitë më të mëdha që kur ai u bë kryeministër në vitin 2013. Hetimet e Prokurorisë Kundër Krimit dhe Korrupsionit kanë arritur një pikë kulmore për pushtetin, duke akuzuar për korrupsion zv/kryeministren Belinda Balluku dhe një rrjet të gjerë korruptiv në AKSHI, ku dyshohet se përfshihen persona që dyshohet se vijnë nga krimi i organizuar. Këto hetime vijnë teksa më herët ministra dhe zv/kryeministra të tjerë janë akuzuar për korrupsion të rëndë.

Kryeministri Rama gjatë gjithë kohës është mbrojtur, duke thënë se përgjegjësia është personale dhe se kushdo që ka prekur ligjin dhe buxhetin e shtetit do të shkojë përpara drejtësisë. Ai ka thënë se qeveria e tij nuk do të mbrojë askënd. Në rastin aktual, kryeministri i ka dalë në krah shumë fort zv/kryeministres dhe po pengon parlamentin të lejojë arrestimin e zv/kryeministres Balluku.

Nga pikëpamja politike, besueshmëria dhe legjitimiteti i kryeministrit dhe qeverisë janë në rënie. Ndonëse ai u rizgjodh në mes të këtij viti me rezultat të thellë, ai sot nuk ka legjitimitet politik për të drejtuar vendin. Legjitimiteti nuk është diçka që provohet ose fituohet një herë në katër vjet me zgjedhje. Legjitimiteti është diçka që matet çdo ditë, thotë David Beetham. Legjitimiteti është diçka që bën pushtetin të ketë konsensus apo miratim të përditshëm nga njerëzit, nga mediat, dhe që ushtrohet brenda parimeve morale që mbron shoqëria.

Në këto kushte, kur në shoqëri ka një vlerësim të vërtetë për atë që bën qeveria ose dyshohet se ka bërë, qeveria humb legjitimitetin e saj dhe ai është shkatërruar plotësisht. Si rregull, kryeministri do të duhej të binte nga pushteti dhe vendin të kishte një qeveri tjetër.

Pushteti ka vetëm një natyrë, thotë Bernard de Juvenal. Natyra e tij është të rritet vazhdimisht. Asnjë pushtet nuk qëndron kurrë në vend. Nëse pushteti nuk rritet, atëherë ai po zvogëlohet. Pushteti politik rritet vetëm në dëm të një pushteti tjetër. Për shembull, pushteti i mazhorancës rritet mbi atë të opozitës, pushteti i ekzekutivit mbi atë të parlamentit apo mbi ate te gjyqësorit, pushteti i kryetarit mbi atë të kryesisë apo të këshillave kombëtare te partise, pushteti i medias mbi atë të qeverisë, ose anasjelltas etj.

Nëse pushteti i Ramës ka humbur legjitimitetin dhe moralin, ai është bërë më i dobët, por po i zvogëlohet gjithashtu pushteti i mazhorancës sociale ndaj opozitës. Ai është më i dobët pushteti i Ramës ndaj dikujt tjetër, ndaj një lloj tjetër pushteti, sepse nuk mund të qëndrojë po aq i fortë sa më parë, duke qenë se pushteti nuk qëndron kurrë në vend.

Nga mënyra se si sillet opozita dhe nga shkalla e besueshmërisë dhe e legjitimitetit të pushtetit, ai nuk po rritet, nuk po rritet, dhe nuk mund të rritet. Pushteti i opozitës gjithashtu po dobësohet (sepse nuk qëndron dot në vend). Opozita është në një kurs dobësimi të vazhdueshëm. Atëherë pushteti i Ramës po dobësohet përballë pushtetit të drejtësisë. Drejtësia po bëhet më e fortë, më legjitime dhe më e pranuar në sytë e njerëzve, të mediave dhe të shumicës së atyre që ndjekin zhvillimet në vend.

Dobësimi i pushtetit të Ramës do të vijojë pa ndalur. Pushteti i Drejtësisë do të vijojë gjithashtu të rritet. Pushteti i opozitës do të vijojë të zvogëlohet. Ka vetëm një mënyrë se si Rama (ndoshta edhe Berisha) mund ta prishë këtë trajektore. Ata do të kërkojnë tensionim të situatës dhe pengim të pushtetit të drejtësisë. Kjo do të kërkojë fuqizim të pushtetit të tyre brenda organizmave ku janë. Sikurse thamë, pushteti nuk qëndron kurrë në vend, kështu që pushteti i Ramës dhe i Berishës do të kërkojë të paktën të rritet edhe më shumë në drejtim të kryesve, grupeve parlamentare, këshillave apo asambleve kombëtare. Kjo do të ndihmojë ata të kenë më shumë mundësi të përpiqen të tensionojnë situatën dhe të pengojnë drejtësinë. Kjo, gjithsesi, do të dobësojë pushtetet e tyre në raport me njerëzit dhe mediat dhe do të bëjë që ata të jenë shumë më të dobët për pasojë përballë drejtësisë.

Pra, në çdo lloj mënyre që ata të ecin, ata do ta kenë shumë të vështirë të rrisin pushtetin e tyre ndaj drejtësisë. Mënyra e vetme që ata të rrisin pushtetin e tyre përballë drejtësisë dhe ndoshta edhe njëri-tjetrit, është që ata të shpalosin hapur përkrahje të fortë për drejtësinë dhe të bëjnë gjithçka që ajo të hetojë dhe të gjykojë lirisht çdo përfshirje, edhe të vetvetes. Por kjo nuk është e mundur sepse do t’i nxirrte ata nga loja politike, edhe pse do t’i bënte të mbaheshin mend për një akt të lartë politik. Kështu që loja e pushtetit, lufta e pushtetit, duke qenë e pamëshirshme, nuk do t’u lejojë atyre të rrisin pushtetin e tyre. Ata thjesht do të zgjasin jetën duke përjetuar dobësimin e tyre të vazhdueshëm.

Latest articles

Related articles