Në studion e MCN TV, analisti Mustafa Nano u ndal te liderët e dy partive më të mëdha politike. I pyetur në lidhje me angazhimin e tyre në lëvizjet e para demokratike, Nano analizoi ku ndryshojnë Rama dhe Berisha.
Berisha unë e kuptoj është ai personazhi… Nuk e di, Balzaku dhe Floberi kanë bërë romane që karakterizojnë personazhe që vijnë nga hiçi, nga terri dhe kërkojnë të afirmohen në qendrën e kombit. Kishte nevojë dhe për shkak të nevojës iu qurravit fëmijëve të Enver Hoxhës. Ka foto me ta, ishte doktori i Bllokut, i kuptoj këto gjëra. Kjo nuk do të thotë që ka qenë komunist. Nuk e di nëse ka qenë me të vërtetë komunist. Unë e shoh atë si karakter të prishur, nuk e shoh si komunist. E shoh si personalitet të zhgarravitur, të shkërmoqur. Nuk e shoh politikisht. Për mua nuk është fenomen politik.
Rama nuk e ka dashur komunizmin. Mesa ka dëshmuar ai ka qenë antikomunist. Kur vjen nga një origjinë që është e kuqe, po e përdor në zhargon, ti ke kompleksin për të bindur edhe ata të krahut tjetër që ti je shkëputur nga familja. Prandaj Rama doli me tezën “t’i varim komunistët”.
Rama është më qytetar, ky është avantazhi që bën diferencën. Është njeri që kur ka pushtet nuk e shtyp opozitën me dhunë, nuk vret njerëz. Madje kjo mbahet si një nga elementët që e dallojnë. Rama është tipi i shqiptarit që nuk para pëlqen të qeverisë. Do të sundojë.
Janë njësoj me Berishën. Kanë një tahma të shpërpjestimuar për ta fituar pushtetin, për ta mbajtur pushtetin, janë njësoj. E vetmja diferencë që bën Rama është se është djalë më i gdhendur, edhe në portret, edhe në komunikim.


