Qytetarët shqiptarë mendojnë se ekonomia nuk po shkon mirë. Ata janë veçanërisht të shqetësuar nga rritja e çmimeve këtë fillim-dimër. “Po janë 20-30 apo edhe 50 lekë më shtrenjtë. Zarzavatet një herë janë shtrenjtuar shumë. Që nga domatet, specat. Edhe bulmeti duket se po rritet”, thotë një qytetar për A2 CNN.
Në pyetësorin e përmuajshëm që Banka e Shqipërisë bën, treguesi i besimit konsumator vijoi për të tetin muaj të shfaqte pasiguri. Ndonëse u rrit me 0.8 pikë, shqiptarët janë tërhequr nga blerjet, veçanërisht nga ato në shumë të mëdha.

“Çmimet rriten, çdo gjë bëhet e papërballueshme. Të ardhurat tkurren se harxhojmë më shumë. rrogat janë në vendnumëro”, thotë Eriola Hoxha, gjithashtu eksperte.
Pavarësisht shifrave rekord të turistëve edhe jashtë sezonit veror, besimi i bizneseve në fushën e shërbimeve ku përfshihen supermarketeve, baret e restorantet ra me 5.7 pikë. Kjo pasi sipërmarrjet në këtë sektor i frikësohen rënies së kërkesës për konsum , shoqëruar nga vështirësitë në gjetjen e punonjësve. Edhe bizneset në sektorin e tregtisë u shfaqën më pesimiste. Treguesi i besimit në ekonomi nga sipërmarrjet në këtë sektor ra me 2.3 pikë. Rënia e kërkesave për eksport nga njëra anë dhe rritja e çmimeve të lëndëve të para uli me 3.1 pikë edhe besimin e bizneseve në sektorin e industrisë.


