Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin e fshatit Mlizë. Florian Tahiri, vetëm 40 vjeç, ka humbur jetën në mënyrë tragjike pasi u rrëmbye nga rrjedha e përroit që kalon pranë zonës.
Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, në momentin kur dyshohet se Florian po kalonte urën dhe u mor nga prurjet e shtuara të ujit. Kur ai nuk u kthye në shtëpi në drekë, familjarët ngritën alarmin dhe nisën kërkimet përgjatë shtratit të përroit.
Pamjet e kamerave të disa bizneseve aty pranë kanë fiksuar momentet kur 40-vjeçari është rrëmbyer nga rrjedha e fuqishme, duke ndihmuar ekipet e kërkimit për të përcaktuar drejtimin e lëvizjes së trupit.
Kërkimet kanë vijuar gjatë gjithë natës nga zjarrfikësit dhe strukturat e emergjencave civile të Elbasanit. Fatkeqësisht, mëngjesin e sotëm trupi i pajetë i Florianit u gjet rreth 1 kilometër larg vendit ku dyshohet se ndodhi ngjarja.


