Negociatat për paqen mes Rusisë dhe Ukrainës po hyjnë në një fazë të re tensioni, teksa presidenti rus Vladimir Putin ka dërguar në Abu Dhabi dy nga njerëzit e tij më të fuqishëm: Igor Kostyukov, kreu i inteligjencës ushtarake, dhe Sergey Naryshkin, drejtues i shërbimit sekret të jashtëm.
Të dy janë zyrtarët që çdo mëngjes i dorëzojnë Putin-it raportin mbi ecurinë e luftës dhe konsiderohen arkitektët e fshehtë të samitit të Alaskës të zhvilluar në gusht.
Prania e tyre në Emirate është interpretuar në Moskë si një sinjal i qartë se Kremlini nuk ka ndërmend të lëvizë nga marrëveshjet e diskutuara verën e kaluar në Alaskë, një “protokoll” që Trump hezitoi ta impononte për shkak të kundërshtimeve europiane.
Disa analistë rusë mendojnë se dyshes Kostyukov–Naryshkin mund t’i jetë ngarkuar edhe një mision tjetër: Të bindin palën ukrainase se vazhdimi i luftës nuk ka më kuptim. Por qëndrimi zyrtar rus mbetet i pandryshuar.
Në Moskë, raportimet mediatike janë të unifikuara si rrallëherë. Udhëzimet e administratës presidenciale kanë bërë që media ruse të flasë me një zë të vetëm dhe ky zë është ai i Putin-it. Retorika është ashpërsuar dhe nuk lë shumë vend për optimizëm.
Skepticizmi është i dukshëm edhe në botën politike ruse. Aleksej Chepa, nënkryetar i Komisionit të Jashtëm të Dumës, shprehu hapur konfuzionin mbi planet që po diskutohen.
“Cili plan po konsiderohet? Ai me 28 pika, me 24, me 19 apo një përzierje e tyre? Asgjë nuk është përfundimtare”, tha ai.
Sipas tij, palës ruse i kërkohet të analizojë një propozim të ri të hartuar tashmë nga SHBA-të dhe Ukraina.
“Vijat e kuqe” të Kremlinit
Kremlini e ka bërë të qartë se vijat e veta të kuqe nuk lidhen vetëm me territoret e pushtuara, por edhe me mënyrën se si këto pretendime do të njihen ndërkombëtarisht. Moska kërkon:
•Njohje të pozicioneve ruse në terren, përfshirë Donetskun dhe Luganskun.
•Një proces që garanton rikthimin e Putin-it në skenën ndërkombëtare pa izolim politik.
Ndërkohë, propozimi i paraqitur nga pala ukrainase parashikon një armëpushim mbi vijën aktuale të frontit, pa njohur juridikisht Donetsk-un e Lugansk-un si territor rus, duke i cilësuar “zona të përkohshme të okupuara, pa status”. Kjo, sipas Moskës, është e papranueshme.
Konstantin Kosachev, zëvendëskryetar i Këshillit të Federatës, deklaroi se ky plan nuk ka asnjë shans të pranohet.
“Nëse pala kundërshtare vjen me pretendime prej fitimtari, atëherë nuk është gati për negociata”, tha ai.
Atmosfera në Moskë sugjeron se paqja nuk është afër. Përveç nëse Putin vendos të surprizojë botën, pritshmëritë janë që procesi të zgjasë edhe pas festave të fundvitit dhe ndoshta përtej tyre.


