Ka pasur një kohë, dhe nuk është shumë e largët, kur në politikën shqiptare ekzistonte një hierarki e pashpallur e korrupsionit. Në krye të saj, thuajse me unanimitet publik, qëndronte Ilir Meta. Për vite me radhë, perceptimi se Meta ishte simboli i babëzisë dhe i pazareve të errëta politike dukej i palëkundur. Ishte figura që përdorej si shembull ekstrem i korrupsionit, një lloj metri krahasimi për çdo abuzim tjetër.
Por epoka e Edi Ramës e ka shembur këtë paramendim. Sot, përballë skemave, aferave, koncesioneve dhe vjedhjeve që kanë shpërthyer nën drejtimin e tij, Ilir Meta, dikur “kampioni” i korrupsionit, duket si një diletant. Jo se Meta është më i pastër, por sepse Rama e ka ngritur korrupsionin në një shkallë industriale, me skema shumë më të mëdha, me pasoja të paprecedentë dhe me një arrogancë shtetërore të papërmbajtshme.
Në kohën e Metës, korrupsioni perceptohej ndryshe: më shumë si pazar personal, si marrëveshje të vogla mes njerëzve të pushtetit. Kishte tym, shpërthime mediash, video-skandale, por jo një makineri shtetërore të ngritur për të vjedhur në mënyrë të centralizuar.
Me Ramën ndodhi diçka tjetër: korrupsioni u institucionalizua.
Skemat nuk ishin më lëvizje individuale, por projekte të tëra qeveritare. Nuk ishin më pazare për poste, por miliarda euro të zhdukura përmes koncesioneve, PPP-ve, tenderave sekretë, kompanive guackë dhe fondeve të BE-së. Korrupsioni nuk ishte më një devijim i sistemit, ishte vetë sistemi.
Dosja e inceneratorëve nuk është thjesht një aferë: është manuali i korrupsionit modern shqiptar. Qeveria pagoi qindra milionë euro për inceneratorë që nuk ekzistojnë. Paratë publike u derdhën me vite, me shpejtësi marramendëse, për projekte pa impiante, pa shërbim, pa asnjë funksion. Edhe sot, me dhjetëra të arrestuar, skema e inceneratorëve mbetet simboli se si një qeveri e tërë mund të kthehet në një mekanizëm pompimi parash drejt xhepave privatë.
Dosja e sterilizimit ka treguar se pëër vite me radhë, qeveria ka paguar miliona euro për shërbime sterilizimi që ishin të fryra, të panevojshme dhe të vendosura me forcën e pushtetit. Pacientët paguanin, spitalet paguanin, dhe biznesi privat fitonte gjithmonë. Ishte një skemë që e kthente shëndetësinë në magazinë tenderash dhe jo në shërbim publik.
Koha e Saimir Tahirit ishin vitet kur Shqipëria u kthye në hambarin e kanabisit për Europën, një fenomen ndodhi që nuk ishte parë më parë: struktura të tëra shtetërore u vunë në funksion të mbjelljes, ruajtjes dhe trafikimit. Kanabisi nuk ishte më aktivitet kriminal i shpërndarë; ishte një plan kombëtar i toleruar dhe i drejtuar në heshtje nga kupola e pushtetit. Sot, dhjetëra raporte ndërkombëtare flasin për këtë periudhë si momentin kur kufiri mes shtetit dhe krimit u zhduk.
Rasti i fondeve të BE-së goditi në një nivel tjetër: e vendosi Shqipërinë përballë një skandali ndërkombëtar. Këtu nuk u vodhën më vetëm paratë e shqiptarëve; u vodh reputacioni i vendit. Dhe për herë të parë, institucionet europiane e akuzuan hapur qeverinë për abuzime sistematike, mashtrime dhe falsifikime projektesh. Kjo është goditja më e rëndë për një vend që pretendon integrimin.
Pas inceneratorëve, pas sterilizimit, pas kanabisit, pas fondeve të BE-së, tani ka shpërthyer skandali i rrugëve. Projekte të paguara disa herë, kontrata të fryra deri në 300%, kompani pa eksperiencë, tendera pa garë. Çdo kilometër rrugë në Shqipëri kushton sa dy ose tre kilometra në Europë. Çudia më e madhe është se askush nuk mban përgjegjësi: ministrat ikin, drejtorët ndërrohen, por skema vazhdon.
Kjo nuk është më qeveri: është një ndërmarrje ndërtimi që faturon mbi shtetin dhe rezultati është i dukshëm: Shqipëria sot diskuton për korrupsionin më të madh në historinë e saj moderne, dhe është korrupsion i prodhuar nga qeveria aktuale, jo nga e shkuara.
Edi Rama e ka marrë fronin e “kampionit të korrupsionit” thjesht duke qeverisur. Çdo aferë e re, çdo hetim i ri, çdo dosje e hapur nga SPAK tregon të njëjtën gjë: se korrupsioni nuk është aksident, por pasojë e një sistemi të ndërtuar për të përfituar.
Nëse ky është “standardi i ri” i qeverisjes, atëherë Shqipëria ka hyrë në fazën më të errët të korrupsionit të saj, një fazë ku vjedhja është mbuluar me art, marketing dhe arrogancë, por mbetet gjithmonë vjedhje. Fakti që Edi Rama e ka kaluar Ilir Metën nuk është arritje, por është tragjedi kombëtare.


