Rruga Qukës–Qafë Plloçë, një ndër projektet më të gjata, më të kushtueshme dhe më të stërzgjatura të infrastrukturës shqiptare, është shembur vetëm nga një shi i parë i vjeshtës.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë degradimin e shpejtë të një vepre që sapo ishte inauguruar, masa gjigande shkëmbore të rrëzuara mbi asfalt, barriera të shtrembëruara si fletë kartoni dhe një segment i tërë, i shkatërruar brenda pak sekondash.

Nga fotot e transmetuara sot në media duket sikur rruga është bombarduar. Shkëmbinjtë kanë çarë murin mbajtës në disa pika, ndërsa asfalti është dëmtuar. Për pasojë një mur guri me peshë mbi dhjetëra tonë ka rënë mu në mes të karrexhatës, duke e bërë qarkullimin të pamundur. Është e dukshme se shembja ka ndodhur në një pikë ku është bërë gërmim i thellë në trup të malit, pa konsolidimin e duhur të shtresave.
Për shembjen, Autoriteti Rrugor Shqiptar i ka larë duart me një njoftimku fajëson “Reshjet e dendura të shiut… që kanë shkaktuar çarjen e skarpatës dhe rënien e gurëve në trup të rrugës në km 35.” Me fjalë të tjera, rënia e masivit shkëmbor është konsideruar thjesht pasojë e motit, edhe pse aksi ka kushtuar qindra milionë euro dhe është projektuar për terren malor.
ARRSH kërkoi nga qytetarët “të ulin shpejtësinë” dhe njoftoi se “po krijohet një bypass i përkohshëm”. Megjithatë disa pyetja për këtë rast janë të pashmangshme: Si mund të shembet një rrugë me koston e një autostrade alpine vetëm dy muaj pas inaugurimit?
Kilometrat e florinjtë të Qukës-Qafë Plloçë

Projekti i rrugës Qukës–Qafë Plloçë lindi si premtim elektoral në 2009, me një kosto fillestare të parashikuar deri në 90 milionë euro. Më pas, realiteti u bë shumë më i shtrenjtë. Rruga është shtrirë në 43.4 kilometra terren malor, ndaj qeveritë radhazi u përballën me vështirësi, me ngecje, me shpallje fondesh të reja dhe marrëveshje të ndryshme financiare me bankat islamike dhe fondet saudite.
Kjo odise u zgjat 16 vjet. Nga 38 dhe 63 milionë dollarë të lotit të parë dhe të dytë, kostoja gati u dyfishua: 74 milionë për lotin e parë dhe 95 milionë për të dytin. Loti i tretë, i paplanifikuar në projektin fillestar, solli nevojën për kredi tjetër.
Totali shkoi mbi 235 milionë dollarë nga financimet e huaja. Deputetë të opozitës kanë thënë se në total shifra i afrohet 260 milionë eurove. Në këtë pikë, paratë e taksave kalojnë në një nivel shpërdorimi të frikshëm.
260 milionë euro për 43.4 km rrugë do të thotë rreth 6 milionë euro për kilometër.

Ministrja Belinda Balluku, në ditën e inaugurimit në shtator, deklaroi se projekti i vjetër ishte “i nisur gabim”, madje “indiferent ndaj gjeologjisë së zonës”.
Kryeministri Rama e plotësoi: “Është projekti më i gjatë, më i stërmundimshëm, më i ngatërruar, sepse u nis mbrapsht.” Fjalët dukej se shërbenin si justifikim për vonesën dhe koston. Por shembja dy muaj më pas e kthen këtë në një aferë të dyshuar korrupsioni, pasi nuk është e vetmja vepër nën vargun e kritikave që lidhet me institucionet që drejtoi Balluku. Skandalet e shumta kulmojnë me tunelin e Llogarasë, ku prokuroria dokumentoi komunikime të ndërsjella dhe ndërhyrje të paligjshme në tenderime.
Reagimet politike
Adriatik Lapaj, kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, udhëtoi vetë drejt zonës dhe theksoi se problemi nuk është moti, por mënyra sesi jepen tenderat. Në videon e tij ai deklaroi: “Kur tenderat bëhen me telefon dhe kur përfituesi bëhet pa u shpallur procedura, e kur hekuri mungon në beton, jeta e qytetarëve rrezikohet.” Sipas Lapajt, kjo është shembja e dytë në të njëjtin aks brenda pak javësh, çka për të tregon një problem akoma më të thellë: korrupsion dhe punime jashtë standardeve.
Kompanitë
Për të ndërtuar rrugën Qukës-Qafë Plloçë janë kontraktuar dhe marrin para nga buxheti i shtetit prej 11 vitesh kompania Albavia me pronarë Hasan Hafizin dhe Shkëlqim Rakipajn. Hafizi, bashkëshorti i ish deputetes socialiste Mimoza Hafivi, është aksioneri mazhoritar.
Për mbikqyrjen e punimeve për ndërtimin e rrugës Qukës-Qafë Plloçë është kontraktuar një kompani e dyshimtë jordaneze, pas të cilës dyshohet se fshihen ‘ustallarët’ shqiptarë. Bëhet fjalë për kompaninë Sajdi & Partners (Jordan), e cila ka certifikuar punime të pakryera duke vjedhur paratë publike.




