Ish drejtori i përgjithshëm i VOA dhe historiani i njohur Elez Biberaj ka analizuar krizën e brendshme që ka përfshirë Partinë Demokratike, duke theksuar se figura si ish-kryeministri Sali Berisha, pavarësisht peshës historike, po e fronon ringritjen e forcës më të madhe opozitare në vend.
Sipas Biberajt, Partia Demokratike sot mbështetet më shumë te figura e Berishës, sesa te një program i qartë politik. Kjo sipas tij ka bërë që partia të shikojë pas, duke u fokusuar më tepër te një stil i vjetër udhëheqjeje, në vend që të mendojë për të ardhmen.
“Sot, Partia Demokratike mbijeton kryesisht falë qëndrueshmërisë personale dhe trashëgimisë së Berishës. Karizma dhe pesha e tij historike vazhdojnë të sigurojnë besnikëri, por nuk mund të zëvendësojnë një program të qartë apo një platformë të orientuar drejt së ardhmes. Pa një riformësim të guximshëm, demokraci të brendshme, zëra të rinj dhe një vizion bindës, partia rrezikon të shihet si mbetje e së shkuarës, jo si forcë e rëndësishme për demokracinë e sotme”, ka thënë Biberaj.
Ndonëse ish-kryeministri ka lënë gjurmë të thella në tranzicionin shqiptar, si presidenti i parë pas komunizmit dhe si një nga liderët më të rëndësishëm politikë të tre dekadave të fundit, sipas gazetarit ka ardhur momenti që ai t’ia lërë stafetën figurave të reja.
Ai shton se pikërisht kjo trashëgimi historike duhet ta nxisë Berishën që të bëjë hapin që i takon një burrë shteti, të hapë rrugën për një brez të ri udhëheqësish brenda Partisë Demokratike.
Biberaj vlerëson se partia ndodhet në një pikë kritike, ku mungesa e ndryshimit rrezikon ta kthejë atë në një strukturë të ngurtë dhe të shkëputur nga aspiratat e elektoratit. Ai paralajmëron se shtyrja e procesit të transformimit të brendshëm do të thellonte vetëm më shumë paralizën politike, duke rrënuar edhe më tej besueshmërinë e elektoratit dhe shpresën e qytetarëve.
Megjithatë, sipas tij, një largim i Berishës nuk duhet parë si një akt destabilizues, por si një shans për rilindjen e opozitës. Një garë e hapur, një proces transparent dhe promovimi i zërave të rinj mund të çlirojnë energjitë e bllokuara prej vitesh në PD dhe të hapin rrugën për një alternativë më moderne dhe përfaqësuese në skenën politike.
“Largimi i Berishës mund të shkaktojë beteja fraksionesh dhe paqëndrueshmëri afatshkurtër, por më shumë gjasa ka që të gjallërojë opozitën, duke çliruar energjinë dhe talentin e gjatë të shtypur. Partia Demokratike ka tashmë anëtarë të rinj premtues, potenciali i të cilëve është errësuar nga përçarjet e brendshme. Me hapësirë për t’u zhvilluar, ata mund të ndihmojnë në riformësimin e së ardhmes së partisë. Në të njëjtën kohë, Partia Demokratike duhet të zgjerojë bazën e saj duke tërhequr anëtarë dhe zëra të rinj, duke siguruar që rinovimi të mos kufizohet vetëm në ndërrimin e brezave, por të mbështetet në pjesëmarrje gjithëpërfshirëse. Me zgjedhjet vendore në vitin 2027 dhe ato parlamentare në vitin 2029, partia ka një mundësi vendimtare për t’u riorganizuar dhe rindërtuar”, ka thënë ai më tej


