Mjeku Artur Xhumari ka rrëfyer se si ka shpëtuar jetën e një pacienteje kur kjo e fundit ishte paraqitur me dhimbje koke në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza.
“Në shërbimin e urgjencës së spitalit tonë u paraqit një paciente e cila kishte një hemorragji në kokë. Shumica e këtyre hemorragjive vjen si pasojë e aneurzimas. Hemorragjia mund të jetë shumë e rëndë, mund të jetë edhe vdekjeprurëse. Në rastet kur hemorragjia arrin të menaxhohet dhe i sëmuri mundet të vijë në spital, detyra jonë është të zbulojmë shkakun dhe kur zbulojmë shkakun, kur është aneurizëm duhet ta mbyllim brenda 2-3 ditëve nga momenti që vjen në spital sepse ka një rrezik shumë të lartë për të bërë prapë hemorragji”, është shprehur mjeku Xhumari.
Ai theksoi se këto janë sëmundje që nuk parashikohen dot.
“Këto janë sëmundje që ti nuk i parashikon dot. Ato gjenden kur bëjnë një hemorragji; një dhimbje koke, një vrasje, një goditje dhe ti bën një ekzaminim dhe aty zbulohet aneurizma. Shumica i zbulojmë pasi kanë bërë hemorragjinë, por kemi edhe raste që operojmë ta bërë akoma hemorragji, kur i gjejmë në mënyrë rastësore” , tha Xhumari.
Mjeku shpjegoi se kjo “është një dhimbje koke që nuk e ke provuar asnjëherë, nuk ka sëmundje tjetër që të japë një dhimbje koke të tillë dhe është shumë e qartë kur i sëmuri vjen dhe thotë kam një dhimbje e tmerrshme, të paprovuar asnjëherë në jetën time”.
“Ky operacion vajti te 7 orë operacioni, zonja del sot nga spitali e shëruar prej operacionit, pa dëmtime prej operacionit sepse kemi provën gjatë operacionit ne hapëm aneurizmën dhe pamë që nuk shkon më gjak aty”, tha më tej ai


