Nga Doris Madhi
Habia më e madhe në këtë vend qëkur jam kthyer nga studimet e mia në Romë është që nuk më habit më asgjë!
Nuk paskën të sosur çudirat e vulosura në mënyrë trashanike e qesharake nga liderë pengmbajtës që firmat e vulat i lëshojnë si lopa bajgën, pa menduar për pasojat.
Një lajm i hedhur si shashkë në një portal lokal lajmesh, se ish-kryetari i grupit të koalicionit Bashkë Fitojmë në Këshillin Bashkiak Elbasan qenka zëvendësuar nga një këshilltare e grupit të Partisë Demokratike, zj. Bjanka Çopja (asokohe e Lulzim Bashës) në drejtim të opozitës, të bind se tashmë në PD e vetmja gjë që mungon është demokracia e ligjshmëria.
Ky vendim është marrë në mënyrë arbitrare nga Flamur Noka, me një urdhër të keqshkruar, ku citohen neni 33 i Ligjit 139/2015 për Vetqeverisjen Vendore (që flet për administrimin e shërbimeve publike të Qarkut dhe jo për Këshillat Bashkiakë) dhe neni 48 i statutit të PDSH-së për kompetencat e kryesisë së PDSH që kufizohen në miratimin e listave të Këshillave Bashkiakë para zgjedhjeve dhe jo pasi janë mandatuar.
Kuptohet që shkeljet e statutit të PDSH janë bërë praktikë e këtij individi e lëpiresve të tij aq herë sa bien ndesh me interesat e tyre personale, por statuti i një partie kurrsesi nuk mund të dominojë forcën e autonomisë vendosëse të ligjeve e rregulloreve të institucioneve vendimmarrëse e qeverisëse vendore siç janë bashkitë dhe këshillat bashkiakë.
Neni 22, pika 6 e RREGULLORES SE KB e më pas neni 23 e 24 i mbështetur në Ligjin 139/2015 dhe kushtetutë përcakton qartë se një Këshilltar i një grupi tjetër partiak, duhet të japë dorëheqjen me shkrim dhe të presë miratimin për të hyrë në një grup tjetër jo pa kaluar një periudhë 6 mujore dhe pa miratimin me vote nga ana e këshilltarëve në grupin ku aspiron të aderojë.
Këshilltarët e grupit të Lulzim Bashës ende sot vijojne zyrtatisht të rrinë në grupin e tyre. Bashkimi me koalicionin Bashke Fitojmë e me PD e Berishës sot bëhet në tavolina kafeneje për të maksimizuar pazaret me partinë në pushtet, por asnjë shenjë zyrtare në bashkim real me dokumentacion nuk i është drejtuar Kryetarit të Këshillit Bashkiak.
Është e turpshme sesi nga ky proçes përjashtohen nga vendimmarrja dhe këshilltarët e Partisë së Lirisë falë së cilës ne hymë në zgjedhje me kandidatë ne 2023, pasi ishim pa vulë e logo.
Në fakt, Flamur Noka harron që në kë sens humb dhe legjitimitetin për të marrë vendime.
Zoti Noka, nëse vërtet ajo vulë të bën të ndihesh i fuqishëm, sot që kemi vulë e logo (për marrjen e të cilave kam ndenjur 1 vit poshtë shtëpisë së liderit Berisha e katër vite protestave, ndërkohë që kjo zonja nuk e pranonte Berishën si kryetar e votonte Gledian Llaten) ta kishe përdorur për të dalë me përfaqësues të PD ne 5 Bashkitë që fale para një jave. Këtu qëndronte tagri yt dhe pinte ujë vula jote!
Ky është një preçedent i rrezikshëm që minon demokracine funksionale dhe autonominë e institucioneve vendore, ku individë kapriçiozë e pazarxhinj tentojnë të prekin edhe ato qeliza ku bëhet lufta ballore me pushtetin siç janë Këshillat Bashkiakë.
Shpejt do kuptosh o Penelopa e demokratëve që thur ditën e shthur natën shpresat e tyre, që ligji nuk shkelet dhe akoma ka njerëz që kauzave të ligjshmërisë i shkojnë deri në fund! Kjo jo se kanë pushtet absolut, por se kanë moral, integritet, profesionalizëm dhe të drejtën udhërrëfyes.
Një këshillë miqësore: në vazhdimësi kur firmos shkresa kujdesu të jenë formuluar nga juristë të mirëfilltë, jo bufonë inatçorë që hedhin gurin e fshehin dorën!


