Deputeti socialist Erion Braçe i cili tashmë njihet si një opozitar i përjetshëm që nuk ndalet të denoncojë çdo problematikë, u pyet në emisionin “Kjo Javë” nëse i është kërkuar ndonjëherë nga kryeministri Edi Rama që të zbusë pak tonet sa i përket denoncimeve.
Erion Braçe shkurtimisht tha “jo, s’ka ndodhur asnjëherë”, ndërsa theksoi se ajo që i çmon kreut të qeverisë është se ky i fundit nuk i cënon lirinë e punës.
Nëse ka demokratë që i bashkohen denoncimeve të tij, Erion Braçe vlerësoi Bujar Leskajn, deputetin e ri të PD, Besart Xhaferri, ndërsa nuk la pa përmendur dhe marrëdhënien me Jorida Tabakun.
Sakaq, ai theksoi se demokratët që mund t’i qëndrojnë afër apo t’i shprehin ndonjë vlerësim, “masakrohen” nga drejtuesit e PD-së.
Pyetje: Jeni hap pas hapi në rrugët e kryeqytetit. A ju ka ndodhur që t’iu kërkohet nga vetë Kryeministri Edi Rama të ulni pak tonet, në kuptimin e denoncimeve tuaja?
Erion Braçe: Asnjëherë nuk ka ndodhur kjo gjë. Edi Ramës këtë i vlerësoj, që nuk cënon lirinë time të punës.
Pyetje: Po nga opozita, a merrni dashamirësi për atë që denonconi?
Erion Braçe: Nuk jam një person i pëlqyer në sferën e lartë të udhëheqjes së PD. Mirëkuptoj çdo koleg që bashkohet apo jo me atë që unë bëj. Në atë parti, të jesh i afërt apo të thuash diçka në përputhje me atë që thotë Erion Braçe, të kthehet në sakrilegj.
E çmoj kolegun Bujar Lesakj. Më ka bërë përshtypje një gjë, një djalë i ri, Besart Xhaferri. Pas seancës dëgjimore me minatorët e Spaçit, erdhi dhe më tha bravo, më dha dorën. Jorida Tabaku, tani nuk është risi, atë e shënjestrojnë për këtë aspekt, nuk është risi për marrëdhënie pune që kemi në Kuvend në tërësi. Pak e shumë kemi gjetur një marrëdhënie, veçanërisht në komisione.


