Shpëtim Axhami, kreu i PLL, përmes një komunikimi publik ka mbrojtur interesat e familjes dhe vlerat kombëtare duke ju bashkuar tubimit pro Jetës në Tiranë.
Partia Lëvizja e Legalitetit ka analizua dhe ndjekur me vëmendje në mënyrë të vazhdueshme të gjitha veprimet dhe debatet publike lidhur me projektligjin “Për Barazinë Gjinore”, për shkak të ndjeshmërisë së lartë që ky projektligj ngjall në shoqërinë shqiptare.
PLL mbështet plotësisht çdo nismë që synon barazinë e qytetarëve para ligjit, pa dallim gjinie, feje, bindjeje politike, gjendjeje ekonomike, arsimore apo përkatësie familjare.
Megjithatë, duke marrë në konsideratë rëndësinë dhe ndikimin e gjerë shoqëror që ky projektligj mbart, Partia Lëvizja e Legalitetit shpreh qëndrimin e saj kundër miratimit të tij në Kuvend të këtij projektligji, pa iu nënshtruar ky më parë një debati të gjerë publik dhe një konsultimi gjithëpërfshirës me shoqërinë civile, grupet e interesit dhe institucionet përkatëse.
Për ne, themelore mbetet mbrojtja e familjes, traditës dhe vlerave morale e kulturore të shoqërisë shqiptare.
Ne gjithashtu jemi kundër përdorimit të termave të përgjithshëm e të paqartë që krijojnë hapësira për keqinterpretime, cenojnë kohezionin shoqëror dhe mund të deformojnë parimet bazë mbi të cilat është ndërtuar familja dhe identiteti ynë kombëtar, duke repektuar çdo të drejtë individuale që nuk bie ndesh me ruajtjen e këtyre vlerave dhe strukturën natyrore të familjes shqiptare.


