Në qytetin Kazuno të prefekturës Akita, forcat ushtarake janë angazhuar këtë të mërkurë për të ndihmuar autoritetet lokale në kapjen e arinjve, pas një vale sulmesh që ka shkaktuar shqetësim të madh në zonë.
Banorët për javë me radhë janë këshilluar të shmangin pyjet e dendura përreth qytetit, të qëndrojnë në shtëpi pas errësirës dhe të mbajnë zile për të trembur arinjtë që mund të afrohen për të kërkuar ushqim pranë shtëpive.
Sipas Ministrisë së Mjedisit, që nga prilli i vitit të kaluar janë raportuar mbi 100 sulme nga arinjtë, duke shkaktuar 12 viktima, një rekord për vendin. Dy të tretat e vdekjeve kanë ndodhur në prefekturat Akita dhe Iwate.
“Pavarësisht kujdesit të madh të banorëve, me popullsinë kaq të madhe të arinjve, numri i incidenteve nuk po ulet”, tha Yasuhiro Kitakata, zyrtar i qytetit Kazuno.
Ushtarët do të ndihmojnë në transportimin, vendosjen dhe kontrollimin e kafazeve për kapjen e arinjve, të cilët më pas do të qëllohen nga gjuetarë të trajnuar me armë të përshtatshme për këtë qëllim.
Autoritetet lokale njoftojnë se numri i përballjeve me arinjtë është rritur gati gjashtë herë këtë vit, duke kaluar 8000, gjë që bëri që guvernatori i prefekturës të kërkojë ndihmën e Forcave të Vetëmbrojtjes së Japonisë.


