Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, u vendos sekuestro konservative ndaj të gjitha pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të subjekteve International Medicare shpk dhe Sante Plus Group.
Hetimet ndaj këtij spitali nisën pas një kallëzimi të bërë nga një shtetas portugez i cili deklaroi në prokurori se kishte paguar mbi 5200 euro në këtë spital për të marrë 3 shërbime, por që në fakt nuk kishte marrë asnjë prej tyre, pasi mjekët ishin larguar, ndërkohë që as paratë nuk i ishin kthyer pas.
Pas hetimeve të mëtejshme, hetuesit zbuluan se ky spital operonte me mandate dore dhe gjatë kontrollit u gjetën 1 milionë euro fatura jo tatimore, të padeklaruara, ndërsa dyshohet se si mjekë punonin persona kryesisht shtetas turq, të palicensuar si mjekë në Republikën e Shqipërisë.
Portugezi ka deklaruar se pagesat i kishte bërë dorazi tek një punonjëse e klinikës, e quajtur Xhuana Liko, e cila i ishte prezantuar si drejtoreshë e spitalit.
Por, gjatë hetimeve, Liko ka pohuar se nuk ka qenë asnjëherë drejtoreshë, por vetëm një recepsioniste, e cila vepronte sipas udhëzimeve të pronarëve të vërtetë të klinikës, shtetasi turk Bilal Kara dhe Geriana Arapi. Ata sot ndodhen jashtë Shqipërisë, përkatësisht në Turqi dhe Maqedoninë e Veriut dhe të shpallur në kërkim nga policia


