Kreu i SPAK, Altin Dumani, gjatë raportimit në Kuvend, deklaroi se Prokuroria e Posaçme ka hetuar vendimin e qeverisë për faljen e gjobave para zgjedhjeve të 11 majit, por çështja është mbyllur me mosfillim procedimi penal.
“Sa i takon çështjes së gjobave, është hetuar dhe është vendosur mosfillim i procedimit penal. Nuk është ankimuar në gjykatë,” tha Dumani.
Ai iu referua edhe patronazhistëve, duke theksuar se nuk ekziston një nen në Kodin Penal që e ndalon atë, por në rastet kur patronazhistët përfshihen në korrupsion zgjedhor, SPAK ndërhyn.
“Nuk kemi kod penal për patronazhizmin. Penalizojeni në Kuvend dhe më pas ne ndërhyjmë. Në momentin që patronazhisti premton legalizim shtëpie, para apo regjistrim të pronës në hipotekë, këtu nuk kemi patronazhim, por korrupsion aktiv apo pasiv në zgjedhje. Në Kod Penal nuk kemi një vepër ku të thuhet ‘patronazhimi’. Penalizojeni si Kuvend dhe ne ushtrojmë ndjekjen penale,” deklaroi Dumani.
Sipas tij, SPAK ka verifikuar çdo kallëzim për shkelje zgjedhore dhe në 43 raste është vendosur mosfillim procedimi penal, ndërsa vetëm tre janë ankimuar në gjykatë.


