Të quash Luigj Gurakuqin “makiavelist” në mes të Shkodrës, është guxim apo mosdije?

spot_img
Advertisements

Nga Ermal Peçi

U mendova gjatë nëse duhej ta shkruaja këtë editorial apo jo. Shkaku ishte një aktivitet i organizuar nga legalisët në Shkodër, ku në një fragment dokumentari mbi Mbretin Zog, u hodh një akuzë befasuese: Luigj Gurakuqi dhe Fan Noli, si “makiavelistë politikë”.
Aty, në mes të Shkodrës, kjo fjalë më tingëlloi jo vetëm si provokim, por si një akt që kërkon ose guxim të madh historik, ose mosdije të thellë për historinë e Shqipërisë.
Në një qytet që e ka rritur dhe nderuar figurën e Gurakuqit, ta vendosësh në bankën e të akuzuarve është e pakta një keqkuptim i madh me kujtesën kombëtare.

Luigj Gurakuqi nuk ishte i përsosur, ashtu siç nuk është asnjë figurë historike, por ai ishte një nga ata njerëz që sakrifikoi jetën për idenë e një Shqipërie të lirë e moderne. Një njeri që jetoi me idealin e arsimit, të kulturës dhe të shtetit kombëtar; që përktheu, shkroi, arsimoi e luftoi për një komb që sapo po merrte frymë.
Nëse këto janë cilësitë e një “makiavelisti”, atëherë duhet të rishkruajmë gjithë fjalorin politik të njerëzimit.

Në takimin e legalistëve në Shkodër, ku morën pjesë Princ Leka II dhe dhjetëra familje shkodrane, ndodhi ajo që ndodh shpesh në politikën shqiptare: historia u përdor si armë.
Nuk është hera e parë që emra si Noli, Gurakuqi apo Avni Rustemi rivihen në “gjyq” sipas interesave të ditës.
Ndryshe nga polemikat politike, historia kërkon drejtësi, jo hakmarrje.

Nuk mund të flasësh për Gurakuqin pa përmendur Nolin e 1924-ës dhe Mbretin Zog që konsolidoi shtetin modern shqiptar. Ata ishin në anë të ndryshme të barrikadës, por të gjithë punuan, secili në mënyrën e vet, për të njëjtin qëllim: Shqipërinë.
Të zgjedhësh njërin dhe të përbuzësh tjetrin do të thotë të mos kuptosh asnjërin dhe më keq akoma, të mohosh historinë.

Makiavelizmi në politikën shqiptare moderne është bërë një mjet që shpërblen dinakërinë, por nuk mund të përdoret për të përkufizuar një epokë ku idealizmi ishte oksigjeni i jetës publike.
Nëse “makiavelizmi” nënkupton pragmatizëm politik e ndonjëherë kompromis të dhimbshëm për interesin e shtetit, atëherë po të gjithë, nga Noli tek Zogu, kanë pasur momente të tilla. Shteti nuk ndërtohet vetëm me ëndrra, por me zgjedhje të vështira.

Ta reduktosh Gurakuqin në një intrigant është fyerje ndaj një jete të përkushtuar ndaj arsimit, gjuhës dhe pavarësisë kombëtare. Ai nuk luftoi për pushtet, por për një Shqipëri që të kishte mendimtarë, jo vetëm komandantë dhe kjo ishte e filozofia e Rilindjes në thelb, të cilën historia e shpërbleu me respekt të përjetshëm.

Sot është koha për t’i zbardhur e jo për t’i baltosur figurat tona.
Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për një histori të çliruar nga pasionet partiake dhe trashëgimitë e verbra të ndasive.
Noli ishte reformator e poet, Gurakuqi mendje e ndritur dhe viktimë e pasioneve politike, ndërsa Zogu, me gjithë autoritarizmin e tij, ishte njeriu që vendosi themelet e administratës shtetërore.
Të gjithë ishin të nevojshëm dhe të gjithë kanë vendin e tyre në historinë tonë.
Historia nuk është pronë e partive, as e mbretërve, as e republikanëve. Është pronë e kujtesës sonë kolektive. Të flasësh për të kërkon kulturë, përgjegjësi dhe guxim për ta parë të vërtetën siç është, jo siç do ta donim.
Të quash Luigj Gurakuqin “makiavelist” në mes të Shkodrës është një ftesë për debat, por debat që duhet bërë me dokumente, jo me legjenda.
Koha historike na ka treguar se Kombi që nuk njeh drejt historinë e vet, është i destinuar ta përjetojë përsëri, në formën më të keqe të saj.

Latest articles

Related articles