Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka përzgjedhur bashkimin e kompanive “Kreatx” dhe “HardTech” si fitues të tenderit për “përmirësimin e platformës së shërbimit konsullor online”, me një vlerë prej rreth 1.95 milionë euro pa TVSH, pavarësisht se oferta e tyre ishte më e larta mes tre operatorëve pjesëmarrës.
Sipas dokumenteve që ka konsultuar Skyweb.al, në garë morën pjesë pesë kompani, nga të cilat vetëm tre dorëzuan ofertat e tyre.
Ndër to, bashkimi i kompanive “Advanced Business Solutions – ABS” e Gerond Meçes, përfituesi kryesor i tenderëve të AKSHI-t dhe “DataLog”, në pronësi të Sokol Sinanit, po ashtu i përfolur për afera me tenderët e AKSHI-t dhe lidhje e ngushtë ish-ministrit të arrestuar Ilir Beqaj, kishte ofruar çmimin më të ulët, rreth 1.6 milionë euro, por u skualifikua për shkaqe teknike, lidhur me mungesën e autorizimit për platformën “Oracle”, mbi të cilën operon sistemi.
Megjithëse oferta e Kreatx dhe HardTech ishte rreth 350 mijë euro më e lartë, ajo u vlerësua si “ekonomikisht më e favorshme” dhe u shpall fituese.
Në dokumentet zyrtare rezulton se aksioner në kompaninë “Kreatx” është z. Panajot Gjiknuri, vëllai ish-ministrit Damian Gjiknuri.
Gjatë muajve të fundit, kompania e tij ka fituar disa tenderë të rëndësishëm në institucionet qendrore, ndërsa shpesh është përplasur në Komisionin e Prokurimit Publik me konkurrentë të tjerë të mëdhenj të tregut të teknologjisë, përfshirë Ermal Beqirin dhe Gerond Meçen. Gerond Meçe dhe Ermal Beqiri po luftojnë ndërkohë me njeri-tjetrin për “copat” e mëdha të tenderëve të AKSHI-t.
Tenderi me fond limit 2.08 milionë euro pa TVSH ka për objekt modernizimin e platformës konsullore të shtetit shqiptar, me afat zbatimi 33 muaj.