Pse Ivi Kaso pyeti për përgjimin e znj. Ymeraj nga SPAK ? Cili është interesi publik ?

spot_img
Advertisements

nga Desada Metaj

Mbrëmë në Komisionin e Ligjeve raportoi kreu i SPAK, Altin Dumani. Mirë apo keq, ai drejton Prokurorinë e Posaçme, ku vitet e fundit kanë kaluar edhe shumë politikanë. Mes tyre dhe ndonjë nga ata që mbrëmë në komision krekoseshin si gjeli majë plehut për t’i treguar Dumanit “supermacinë” e tyre. Që në fakt dukej kaq keq, kur mendon dhe dëgjon që pyetjet e deputetëve të Komisionit të Ligjeve ngjanin me ato që mund të bënte një student i gazetarisë.

Me ngazëllimin për t’u dukur në sytë e shefit të madh, deputetët e PD nuk lanë rast njeri pas tjetrit për të pyetur për procedurat e ndalimit me arrest shtëpie të liderit të tyre. Aq sa gara ishte e ethshme se kush do pyeste i pari. Për pesë orë me radhë ata që duhet të ishin avangardë me konstatimet dhe angazhimin për të kuptuar e saktësuar punën e Prokurorisë së Posaçme, u vunë në rresht për të pyetur kush më shumë se si ka mundësi që Sali Berisha po hetohet nga SPAK. Edhe pse asnjëri s’e vuri ujin në zjarr për hetimet e 21 janarit apo ato të Sport Klub Partizanit.

Madje një prej tyre, Ivi Kaso, pyeti me detaje edhe për vendimin e arsyetuar të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e përgjimit të telefonit të Onejda Ymerajt të Spitalit Amerikan, edhe pse në fakt ky vendim nuk është publikuar ende dhe zoti Kaso nuk dihet se nga ka mundur ta gjejë këtë vendim. Por ai nuk pyeti se si po hetohet për koncesionin e dializës apo laboratorëve që të dy bashkë u kushtojnë shqiptarëve 28 milionë euro në vit nga taksat e tyre.

Altin Dumani dhe prokurorët e SPAK nuk janë perfektë dhe padyshim që në punën e tyre kanë bërë edhe gabime, të cilat në çdo vend normal do të diskutoheshin në Komisionin e Ligjeve. Por aty një palë ngutej që brenda pesë orëve të dukej sa më zellshme para Berishës, dhe pala tjetër të servilosej keq me shpresën se kur t’u vijë radha, prokurorët do t’i kursejnë.

Ajo që i bashkoi PS dhe PD në komision ishte paaftësia për t’u ngritur mbi nivelin banal të diskutimit në kafene dhe studio televizive, dhe për të folur në nivel profesional me drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme. Në fund të fundit, kur bëhet fjalë për Komisionin e Ligjeve, mendja të shkon se të paktën mes tyre ka ish-studentë të juridikut, që në mos nxënës të mirë, të paktën kanë kuptuar diçka më shumë se studentët e degëve të tjera.

Ndërsa ajo që u kuptua ishte se ndonjë prej tyre mund të jetë jurist, ndonjë tjetër politikan, por të gjithë bashkë barazohen në nivelin banal të diskutimit për çështje juridike, duke bërë që të na duken sikur janë një klasë e universitetit të gazetarisë — mes protagonizmit për t’u dukur sikur kanë bërë detyrat… apo frikës se ndonjë ditë do të mund të jenë përballë prokurorëve, jo si studentë, por si të pandehur.

Latest articles

Related articles