Rikthehet në detyrë një nga gjykatëset më të përgatitura të sistemit të drejtësisë

spot_img
Advertisements

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të hënën më 13 tetor vendimin për rikthimin në detyrë të gjyqtares së Tiranës, Blerina Muço, e cila u shkarkua prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit më 1 nëntor të vitit 2023 për probleme në kriterin e pasurisë dhe në vlerësimin tërësor.

Subjekti paraqiti ankim në Kolegj, ku pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të shkaqeve të ngritura, u vendos vijimi i gjykimit të kësaj çështjeje në seancë gjyqësore publike, me qëllim konstatimin e saktë dhe të plotë të situatës faktike lidhur me pagimin e detyrimeve tatimore për të ardhurat e bashkëshortit nga një marrëveshje bashkëpunimi me një shoqëri për ofrim të konsulencës ligjore.

Muço parashtroi se bashkëshorti nuk kishte qenë në dijeni të moshlyerjes së detyrimeve tatimore nga shoqëria. Sipas saj, në marrëveshje kishte qenë e përcaktuar se detyrimet tatimore duhej t’i shlyente punëdhënësi dhe për këtë arsye bashkëshorti kishte qenë në kushtet e besimit të plotë. Ajo nënvizoi se vërtetohej me dokumentacion se bashkëshorti e kishte përfituar në kohë vlerën prej 73 mijë euro, si dhe se kjo gjë përputhej me deklarimet në vite. Subjekti kundërshtoi dhe konstatimet e tjera të Komisionit gjetjet e tjera dhe kërkoi konfirmimin në detyra.

Trupi gjykues i Kolegjit çmon se gjatë shqyrtimit ligjor, subjekti provoi bindshëm krijimin e këtyre të ardhurave, si me dokumente, ashtu edhe përmes deklarimeve në kohë reale. KPA argumenton se, përderisa këto të ardhura janë deklaruar rregullisht dhe provohet se vijnë nga burim i ligjshëm, si dhe se nga fakti se detyrimin për shlyerjen e detyrimeve tatimore e ka pasur shoqëria, ato e kalojnë testin dhe duhet të përfshihen në të ardhurat e ligjshme.

Për rrjedhojë, ndryshe nga Komisioni, u konkludua se gjyqtarja Muço nuk gjendet në kushtet e e deklarimit të pasaktë.

Pamundësia financiare e mbetur në shumën 954 mijë lekë, e shpërndarë në disa vite u çmua prej Kolegjit bazuar në parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit, u konkludua se nuk mund të sjellë penalizim për subjektin.

Po ashtu, Kolegji vlerësoi të pamjaftueshme për të cënuar besueshmërinë e gjyqtares Muço, edhe gjetjet në kriterin profesional që kishin të bënin me tejkalimin e afatit në gjykime, si dhe ato të konfliktit të interesit me dy shoqëri palë në çështjet e shqyrtuara prej saj.

Për konstatimet e KPK lidhur me mosrespektimin e praktikës unifikuese të Gjykatës së Lartë, Koelgji vërejti se qëndron vetëm një rast, por që nuk mund të sjelli penalzim. Për çështjet që kishin të bënin me shoqërinë me të cilën bashkëshorti kishte lidhur marrëveshjen e bashkëpunimit, u konstatua se ato ishin trajtuar prej subjektit disa vjet pasi ishte përmbyllur bashkëpunimi.

Në përfundim, Kolegji çmon se konkluzuionet e KPK për pasurinë, profesionalizmin dhe gjetjet në vlerësimin tërësor, nuk janë rezultat i një vlerësimi të bazuar në akte dhe në ligj. Për rrjedhojë u vendos ndryshimi i vendimit të KPK dhe konfirmimi në detyrë i gjyqtares Blerina Muço

Latest articles

Related articles