Vjeshta ka hyrë me një qarkullim të dendur të virozave respiratore dhe COVID. Problemet me rrugët e frymëmarrjes dhe ato të traktit tretës kanë bërë që shumë të rritur, por edhe fëmijë, të kenë nevojë për ndihmën e mjekëve të familjes dhe atyre pediatër.
“Simptomat kanë qenë ato të një viroze, me temperaturë, me dhimbje fyti, me kollë dhe sekrecione“, thotë mjekja Blerta Berberi.
Infeksionet e traktit tretës janë ato që mbizotërojnë më shumë.
“Shqetësimet gastrointestinale kanë variuar nga tre ditë. Kemi pasur pak raste që kanë zgjatur deri në pesë apo gjashtë ditë, por që gjithsesi janë menaxhuar me sukses”, thekson ajo.
Infektimet nga COVID janë gjithmonë prezente, por me simptoma më të lehta që zgjasin 2-3 ditë.
“Predisponojmë edhe testet e COVID-19, dhe për çdo pacient që është i dyshuar, kryejmë testet për të vënë një diagnozë sa më të saktë”, nënvizon mjekja.
Grupmoshat më të prekura janë ato aktive për punë.
“Pacientët me probleme respiratore predominojnë moshat pediatrike, ndërsa me çrregullime të traktit gastrointestin kemi pasur edhe mosha pediatrike edhe të rritura“, thotë mjekja.
Mjekët këshillojnë të shmanget vetëmjekimi kur temperatura është dominuese dhe qëndrimi në ambiente të mbyllura, ndërsa të sëmurët kronikë marrin dozën e vaksinës së gripit.