Nesër, qytetarët e Kosovës me të drejtë vote, do t’u drejtohen sërish kutive të votimit.
2 milionë e 25 mijë e 105 votues, do të votojnë për të zgjedhur kryetarët në 38 komuna të vendit dhe anëtarët e 38 kuvendeve komunale.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka treguar për “KosovaPress”, aktivitetet e orëve të fundit që janë duke u realizuar dhe masat që janë ndërmarrë në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor.
“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i fletëvotimeve të zgjedhjeve për kryetarë të komunave dhe të subjekteve politike duhet të bëhet në vendvotim, pasi të përfundojë procesi i votimit. Prandaj, KQZ ka bërë përgatitjet që më 12 tetor të publikohen rezultatet preliminare të kandidatëve për kryetarë të komunave dhe të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale. Gjithashtu, gjatë zhvillimit të ditës së votimit, në orare të caktuara do të publikohen edhe të dhëna për pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje, për secilën komunë, të detajuar për çdo Qendër Votimi dhe vendvotim”, tha Elezi.
Numri i subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në këto zgjedhje është 93, prej të cilave, 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur.
Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar dhe që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 5,624 kandidatë, prej të cilëve 205 kandidatë për zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe 5,419 kandidatë për zgjedhjet për Kuvende Komunale.
Nga numri i përgjithshëm, vetëm për zgjedhjet për kryetarë të komunave janë certifikuar 205 kandidatë, prej të cilëve 185 burra dhe 20 gra. Ndërkaq, në zgjedhjet për Kuvende Komunale janë certifikuar 5,419 kandidatë, prej të cilëve 3,395 burra dhe 2,024 gra.
Procesi i votimit do të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2,571 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 54 vendvotime, për të mundësuar votimin me kusht.
Sipas Listës së Votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote për të votuar nesër në Republikën e Kosovës është 2,025,105, të cilët janë të shpërndarë në 38 komuna.
Procesi zgjedhor zhvillohet për të zgjedhur 38 kryetarët e Komunave dhe 942 anëtarët e Kuvendeve Komunale.