Qeveria ka hedhur për konsultim publik Projektligjin “Për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave të sigurisë për naftën bruto dhe nënproduktet e saj”. Ky projektligj parashikon ngritjen e një rezerve shtetërore për mbajtjen e naftës dhe furnizimin e tregut në kohë të vështira.
“Shuma e përgjithshme e rezervave të sigurisë që duhen të mbahen në Republikën e Shqipërisë ka si target të paktën 90 ditë e sasive të importeve mesatare ditore neto ose të paktën 61 ditë të mesatares ditore të sasisë të konsumit të brendshëm, cilado nga dy sasitë është më e madhe. Rezervat e sigurisë për të arritur targetin do krijohen gradualisht dhe në mënyrë proporcionale në baze të Planit të Veprimit, i cili miratohet nga Këshilli i Ministrave”.
Sipas ekspertëve, duhen rreth 300 mijë ton karburant për furnizimin e popullatës për të paktën 90 ditë në rast krize. Me vlerën e tregut përkthehet në 260 milionë euro.
Shifra e përllogaritur nuk përfshin kostot e qirave të depozitave për të cilat në fakt shteti nuk i ka në dispozicion. Në rast se qeveria do të krijonte depozita të vetat për ruajtjen e rezervave të karburantit, do t’i kushtojë rreth 260 milionë euro të tjera që në total do ta çonin faturën në 520 milionë euro pa përfshirë kostot e mirëmbajtjes apo punonjësve.
“Tarifat e krijimit dhe mbajtjes se rezervës se sigurisë që aplikohen mbi sasitë e produkteve energjetike hidrokarbure që i nënshtrohet detyrimit për pagimin e taksës se Akcizës”.
Kjo do të bëjë që përveçse rreth 6 taksave dhe tarifave vendore që qytetarët paguajnë për karburantet si akciza, taksa e qarkullimit, karbonit, skanimit etj të shtohet edhe kjo tarifë që ende nuk dihet sesa do të jetë por do të përcaktohet pas miratimit të ligjit me vendim të Këshillit të Ministrave.