“Aldo milioneri është agjent imobiliar” – Detaje nga mega-procesi ‘Sky ECC’ ndaj KLANIT shqiptar në Belgjikë: Shiti Golfin dhe bleu ‘Rolex-in’!

spot_img
Advertisements

Vazhdon në Namur të Belgjikës një mega-proces gjyqësor i mbiquajtur ‘Sky ECC’ ndaj një organizate kriminale shqiptare. Sipas medieve belge, procesi po shkon drejt fundit

Katërmbëdhjetë vite burg, 120.000 € gjobë dhe sekuestrime mbi dy milionë euro… Është pak të thuash se Alket Verushi rrezikon shumë në qendër të procesit gjyqësor “Sky ECC”, që po zhvillohet para gjykatës së Namurit!
Shqiptari, i arrestuar në Spanjë, dyshohet se ka qenë koka e një organizate kriminale tepër aktive në kultivimin e kanabisit, si dhe në tregtimin e drogërave të lehta dhe të forta pothuajse në të gjithë vendin.

“Katërmbëdhjetë vite ky është një dënim eliminues, mirë që shpëtuam!”, u shpreh avokati Ricardo Bruno, përfaqësuesi i të pandehurit të parë.

“Ai nuk është ndonjë bishë e egër. Ka marrë përgjegjësi, por gjithashtu i kanë ngarkuar padrejtësisht shumë gjëra mbi shpinë”.

Avokatja Séverine Meurice, e cila gjithashtu mbron Verushin, theksoi se klienti i saj ishte më tepër “njeriu i çdo pune” në këtë organizatë sesa ndonjë “boss” i mirëfilltë.

“Është ai që shkon të marrë kopshtarët në aeroport, ai që shihet në qendrat e riciklimit duke hequr mbeturinat e kanabisit. Jep udhëzime, po, por nuk ka ndonjë hierarki të qartë,” shpjegoi ajo.

Në gjuhë popullore, roli i tij shihet më shumë si ai i një “mandai” (përgjegjës punësh të zakonshme) sesa si i “boss-it të madh”.

Sipas Meurice, dënimet e kërkuara janë joproporcionale. “Për procesin e fundit Sky ECC këtu në Namur, ata kanë nxjerrë bazukën, kur në fakt një pistoletë me fishekë plastikë do të kishte mjaftuar,” ironizoi ajo.

Dhjetë vite burg janë kërkuar edhe ndaj Aldos, të cilin prokuroria e paraqet si një lloj “agjenti imobiliar” për plantacionet e kanabisit.

“Ai u kritikua kryesisht për stilin e tij të jetesës së shtrenjtë. Është ‘Aldo milioneri’,” ironizoi avokati i tij Mevlut Turk.

“Ka atë Porsche Panamera-n e famshme. Po të kishte një Clio, ndoshta do të kishte pasur më pak telashe,” shtoi avokati tjetër, Étienne Gras.

Avokatët e Aldos vunë në dukje dobësitë e dosjes kundër tij në lidhje me nivelin e jetesës: “Ai dhe bashkëshortja e tij kanë punuar shumë fort gjatë gjithë jetës së tyre,” theksuan ata.

“E shohim disa herë afër një plantacioni? Po, por aty jeton edhe vjehrra e tij,” sqaroi Gras.

Një Rolex në dorë? “E ka blerë pasi shiti Golf-in e tij”.

Paratë e gjetura gjatë kontrollit? “Ishte ditëlindja e tij dhe kishte marrë zarfe me dhurata”.

Mbrojtja duket se ka një përgjigje për çdo akuzë. Nëse pista e pafajësisë nuk pranohet nga gjykata e kryesuar nga Renaud Hauquier, Gras theksoi se një dënim i tillë prej 10 vitesh do të ishte jashtëzakonisht i ashpër.

“Dy adresa për plantacione kanabisi a vlejnë me të vërtetë dhjetë vite burg?”, pyeti ai.

Nëse gjykata do të ndajë të njëjtin mendim, do të mësohet pas një muaji, në shpalljen e vendimit.

“Kanabisi mbillet vetë?”, Beteja mbi shumat e fitimeve

Një nga aspektet kryesore të procesit është paraja e fituar ilegalisht përmes trafikut të kanabisit, shuma këto që kanë shkaktuar reagime të forta.

Avokatët e mbrojtjes analizuan me imtësi llogaritjet e prokurorisë për të përcaktuar pasuritë e paligjshme të të pandehurve. Prokuroria kërkon sekuestrimin e fitimeve nga 10 plantacione të shkatërruara në shkurt 2024, me një qarkullim të pretenduar prej afro 11 milionë eurosh.

Nëse sekuestrimet miratohen, ato do të ndryshojnë në varësi të rolit të secilit. Për Alket Verushin, i konsideruar “boss-i i madh”, kjo shumë mund të shkojë deri në 2 milionë euro.

“Do të doja shumë të dija se si arrini në këto shifra,” reagoi avokatja Meurice, duke renditur ato që i konsideron si gabime të mëdha në llogaritje.

“Duhet të kalojnë tre muaj përpara se kanabisi të mund të korrët,” argumentoi ajo.

Bazuar në këtë fakt, ajo vuri në dukje pasaktësi në lidhje me periudhat e veprimtarisë dhe numrin e mundshëm të korrjeve. Sipas saj, shuma reale nuk kalon 3.6 milionë euro, prej të cilave 700.000 euro do të ngarkoheshin Verushit.

“Dhe më e mira është plantacioni i Anderluesit aty gjetëm një lloj kanabisi që mbillet, rritet dhe korret vetë!”, u shpreh ajo me ironi.

Një revolucion në bujqësi? Jo, vetëm një gabim llogaritjeje nga ana e prokurorisë, theksoi avokatja.

“Të pandehurit ishin tashmë në burg gjatë periudhës së veprimtarisë që ju përmendni!”

Edhe nëse ky argument pranohet, shumat përfundimtare pritet të mbeten shumë të larta. Si vlerat e pretenduara ashtu edhe ashpërsia e kundërshtimeve të mbrojtjes pasqyrojnë përmasat e këtij procesi: gjigante./DHnet

Latest articles

Related articles