nga Ergys Mërtiri
Kandidatura e Ermal Hasimes për Bashkinë e Tiranës i jep vlerë dhe kuptim kësaj gare e cila, në të kundërt, do ishte një tragjikomedi për opozitën. Ermali na jep një motiv për të votuar në kushtet kur nuk kemi kujt t’ia japim votën. Mbetet vetëm që opozita, nëse i ka mbetur dy gram fytyrë e moral, ta mbështesë. Në gjendjen katastrofike ku është nuk ka vend për të bërë si e vështirë.
Pranimi i Berishës për të mbështetur kandidatë të pavarur tregon pikë së pari atë që ia kemi thënë e stërthënë prej vitesh me rradhë: Nevojën e opozitës për tu reformuar e për të prodhuar një fytyrë të re. Berisha tregoi me këtë që ai e di shumë mirë se me çfarë figurash fitohet. Ai e di shumë mirë se me njerëz të lodhur si ata që mbushi listat e mbyllura për deputetë pak muaj më parë nuk vihet në pushtet. Ai e di shumë mirë që për të fituar duhet prodhuar një fytyrë e re me njerëz të rinj, krejt ndryshe nga profili i servilëve qesharakë, arrogantë e histerikë që mbushin eskortën e tij në Parlament. Berisha tregoi me këtë se ai di, po nuk do. E tani, në kushtet kur rrezikon të dalë me një rezultat shumë herë më katastrofë se ai i 11 majit, është i detyruar të bëjë diçka për të menaxhuar sadopak realitetin e hidhur.
Së dyti, vjen një moment që teatri, i shndërruar prej kohësh në estradë, ku i shkalafituri vjell zjarr duke u betuar se po e shkatërron Ramën, po e bën atë të dridhet e struket nga frika e revolucionit, vendoset përballë realitetit të rreptë e të pamëshirshëm ku ai del se ka frikë të hyjë në zgjedhje, ndërsa nuk gjen dot as një kandidat për të qenë.
Tani Berisha shtiret sikur gjithçka po e bën për hir të bashkimit të opozitës, pikërisht për bashkimin me ata të cilët pak muaj më parë i akuzonte si shërbëtorë të Ramës, të cilëve ua futi pas krahëve me një kod elektoral kundër tyre, të miratuar në bashkëpunim me Ramën, të cilit i dha rreth 10 mandate qyl.
Realiteti po bëhet dhe do bëhet gjithmonë e më i qartë. Është ai realitet të cilin unë e kam treguar 4 vjet më parë kur kam thënë që marrja e PD-së prej Berishës do ta defaktorizojë atë plotësisht si opozitë duke e tkurrur në një minorancë të pafuqishme, të reduktuar në një garnizon militantësh në luftë imagjinare me gjithë botën.