Thellë poshtë Maleve Shkëmbore të Kolorados ndodhet një fortesë tepër sekrete e projektuar për të mbajtur gjallë udhëheqësit ushtarakë dhe politikë të Amerikës nëse ndodh e paimagjinueshmja. Kompleksi Malor Cheyenne, dikur objekt i maktheve të Luftës së Ftohtë, është një qytet nëntokësor i gdhendur nga gati 700,000 ton granit dhe i projektuar për t’i bërë ballë sulmeve të drejtpërdrejta bërthamore. Për dekada të tëra, ai ka qenë i gatshëm të koordinojë mbrojtjen e SHBA-së në rast të Armagedonit.
Mund t’i rezistojë një bombe 1000 herë më të fuqishme se ajo e Hiroshimës.
Herën e fundit që gazetarëve iu lejua të hynin brenda ishte në vitin 2018, kur Donald Trump ishte ende në Shtëpinë e Bardhë. Tani, mes tensioneve ndërkombëtare në rritje, ushtria amerikane ka rihapur portat e saj të blinduara, me kamerat e NewsNation që depërtojnë thellë në objektin sekret.
Pas dyerve të çelikut me trashësi një metër dhe përtej pikave të shumta të kontrollit, gazetarët panë qendrën e komandës, e cila – sipas zyrtarëve – mund t’i rezistojë një shpërthimi bërthamor “një mijë herë më të fuqishëm se bomba e Hiroshimës ” edhe nga një milje larg.
Kompleksi nuk është vetëm një strehë. Është një qytet nëntokësor funksional. Ka termocentralin e vet, liqene nëntokësore me ujë të pijshëm dhe rezerva ushqimore për “një kohë shumë të gjatë”. Madje brenda ambienteve vepron edhe një restorant Subway, i cili e quan veten “Subway më i sigurt në botë”.