Për proceset e hapjes së puseve, ndërtimin e rrugëve apo shërbimin e transportit të naftës, Bankers nënkontrakton kompani të tjera. Në disa raporte auditimi që janë kryer nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore rezulton se kosto që nënkontraktorët kanë faturuar “Bankers Petroleum” janë të fryra, ndërsa përzgjedhja e tyre është bërë pa procedura prokurimi dhe pse kontrata që ka me shtetin shqiptar e detyron që të zhvillojë tendera për të marrë ofertën më të ulët.
Dy raporte auditi të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore siguruara nga emisioni “Kronos” në MCN TV, hedhin dritë mbi shpenzime luksi, kosto të fryra dhe manovra për të nxjerrë para jashtë kompanisë duke përdorur skemën e fryrjes së qirave të tokës.
Në sy bien mijëra euro që jepen për evente, udhëtime dhe festa, të cilat klasifikohen si shpenzime me qëllim uljen e fitimit e rrjedhimisht taksave.
“Shpenzimet në vlerë 600 mijë euro kanë për qëllim zhvillimin e aktiviteteve argëtuese për punonjësit e Bankers, në funksion të përmirësimit dhe forcimit të marrëdhënies midis punëdhënësit dhe punëmarrësit. Në asnjë rast shpenzimet e mësipërme nuk kryhen në funksion të zhvillimit apo përmirësimit të operacioneve hidrokarbure në zonën e kontratës”, thuhet në një raport të vitit 2017 të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.
Po ashtu kompania “Bankers” ka një buxhet të lartë për marketingun duke bërë transferta në mediat kryesore të vendit dhe pse është një shoqëri që nuk tregton në Shqipëri, por jashtë saj.
“Marrëveshja Hidrokrabure nuk parashikon si kosto hidrokarbure në asnjë prej përcaktimeve të saj shërbime audiovizive për reklama, publicitet etj.,” konstaton raporti i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.
Në përgjimet e Prokurorisë së Fierit, duket shqetësimi që kanë drejtuesit e “Bankers” për mbulimin mediatik që televizionet bëjnë lidhet me shkeljet e kompanisë, siç është respektimi i të drejtave të punëtorëve apo pagesa e detyrimit të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit.
“Rezulton se media të ndryshme si Top Channel apo Tv Klan kanë marrë përgjatë viteve 2020-2025 pagesa që variojnë nga 260 mijë deri në 550 mijë euro për reklama, hapësira publicitare, spote, kronika etj. Reklamimi i aktivitetit të “Bankers” në një treg që nuk ka konkurrent është shtim i pajustifikuar i shpenzimeve dhe ulje e fitimeve që deklaron si kompani. Në këtë mënyrë dyshohet se kompania mundohet me këto pagesa të pengojë publikimin e lajmeve negative rreth aktivitetit të saj”, thuhet në dosjen e Prokurorisë Fier.
Në kohën kur menaxhimi i “Bankers” ishte në duart e kompanisë kanadeze, shoqëri me bazë në këtë shtet krijoheshin për të faturuar Bankers.
Simmons ishte një prej atyre që AKBN dyshonte për shpenzime të fryra. Faturat mesatare vjetore që paguheshin për Simmons kapnin vlerën e 30 milionë eurove në vit për shërbimet e shpimit të puseve. Kontrata me këtë firmë ishte lidhur me negocim të drejtpërdrejtë.
Edhe kompanitë “Crosco” dhe “Phoenix” në fushën e shërbimit të shpimeve ka marrë shtesa kontratash pa zhvilluar tender.
Nënkontraktorë të rëndësishëm të “Bankers” janë dhe firmat shqiptare “Albstar” dhe “Bolv Oil”. Gjetjet e Agjencisë së Burimeve Natyrore sugjerojnë se dhe këto janë përdorur për të rritur fiktivisht shpenzimet dhe për të ndihmuar kompaninë të krijojë skema evazioni.
“Albstar” ka ofruar punime civile në hapjen e rrugëve ndihmëse dhe izolimin e grykës së puseve të naftës. Kontrata e “Bankers” me të ka filluar në vitin 2004 dhe është zgjatur vazhdimisht. Në observacionet e raportit të auditimit, “Bankers” ka sqaruar se nuk e ka ndryshuar “Albstar” si nënkontraktor dhe të hynte në procedura prokurimi, pasi ishte kompania me më shumë përvojë në këtë fushë.
AKBN nga ana e saj ka kundërshtuar se punimet civile nuk ishin në operacione specifike të naftës dhe se në Shqipëri atë vit kishte 1,951 kompani ndërtimi, 111 prej të cilave në qarkun e Fierit, duhet të ishte bërë garë.
Edhe firma e transportit të naftës “Bolv-Oil” ka punuar me “Bankers” që nga viti 2008 fillimisht si fituese tenderi dhe më pas, me zgjatje kontrate vazhdimisht. “Bankers” pretendon se kjo qe zgjidhja më ekonomike për të. Vetëm gjatë vitit 2011, kontrata e kompanisë me “Bankers” me “Bolv Oil” kishte vlerën 10 milion euro.
Një listë e gjatë me kompani nënkontraktore arrijnë që të mbajnë norma të larta fitimi nga kontrata me “Bankers” nga 30 deri në 70% duke rezultuar me fitim e si rrjedhojë duke paguar 15% tatim mbi fitimin. Në këtë mënyrë “Bankers” shmang pagesën e tatimit 50% që ka për shkak të kontratës me shtetin shqiptar, duke hedhur dyshime se një pjesë të këtyre parave i merrte për t’i çuar më pas në llogari të fshehta.
Hetimet e Prokurorisë së Fierit kanë gjetur një llogari të padeklaruar të “Bankers” në bankën “Raiffeisen” në Vjenë, e cila përdorej për të shkëmbyer transferta të cilat nuk deklaroheshin pranë autoriteteve.
“Nga veprimet hetimore rezulton se “Bankers Petroleum” nuk ka të deklaruar në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore apo në Administratën Tatimore llogari bankare jashtë territorit të Shqipërisë, ku pavarësisht se ka të drejtë të ketë llogari, ka detyrimin për të treguar dhe raportuar lëvizjet dhe balancat e saj. Nga përgjimet telefonike, ka rezultuar se njëra nga këto llogari gjendet në Austri pranë bankës “Raiffeisen”, por nuk është raportuar. Nëpërmjet kësaj llogari dhe të tjerave të padeklaruara, kryen pagesa preferenciale ndaj disa subjekteve edhe në Shqipëri. Transferon para në drejtime të ndryshme ndaj disa subjekteve dhe individëve pa raportuar te institucionet shqiptare, veprim që dyshohet se e ka kryer gjithnjë, nga viti 2004 e në vijim”, thotë Prokuroria e Rrethit të Fierit.
Prokuroria ende nuk ka zbuluar se cilat janë pagesat që ka marrë “Bankers” dhe paratë që ka derdhur në llogari të tjera. Ende nuk është hetuar ndihma që kanë dhënë kompanitë e tjera në skemën e evazionit, të cilat kanë patur kontrata në vlerën e dhjetëra miliona eurove në vit.
Por pikëpyetja më e madhe që shtrohet për hetimet e Prokurorisë së Rrethit Fier është se përse kjo dosje nuk dërgohet në Prokurorinë e Posaçme, duke qenë se janë krijuar elementët e grupit të strukturuar kriminal dhe ka vend për të hetuar përgjegjësitë institucionale të niveleve më të larta?
Kur bashkëpunimi në krijimin e skemave mashtruese është bërë me ndihmën e firmave të huaja, a ka kapacitet një prokurori rrethi të hetojë në disa vende të botës?
Përse në kërkesat e masave të sigurisë për të arrestuar drejtuesit dhe ish-drejtuesit e firmës është parë mundësia e prishjes së provave, por vetë kompania nuk është vendosur në sekuestro? A ka mundësi një shoqëri që ka bërë skema mashtrimi t’i vazhdojë ato dhe të përpiqet të zhdukë provat e krimit? A do të sillte sekuestrimi i kompanisë më shumë prova për hetimet dhe të gjurmëve të pagesave që janë bërë ndër vite?
Dhe pyetja kryesore: nëse gjithë drejtuesit e kompanisë kanë punuar që “Bankers Petroleum” të mos paguajë taksa, kush ka qenë përfitues? Entiteti, kompania. Atëherë përse nuk ka asnjë masë sekuestrimi për të?
Nëse kompania sekuestrohet dhe gjetjet e prokurorisë do të pranoheshin nga gjykata, ajo konfiskohet për llogari të shtetit shqiptar.
Nëse mbi të ka një masë sekuestro, nuk mund të bëhet shitja e aksioneve dhe ndryshimi i pronësisë