Plot 800 kilogramë speca të kuq djegës me origjinë nga Divjaka janë bllokuar sot nga autoritetet kroate, pasi në to u gjetën tre lëndë të ndaluara bujqësore. Sipas mediave, sasia e kapur do të asgjësohet menjëherë në Kroaci, duke i shtuar edhe një njollë tjetër imazhit të Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare.
Ky nuk është një rast i izoluar. Vetëm një muaj më parë, edhe Kroacia e Sllovenia kthyen mbrapsht domatet shqiptare për shkak të pesticideve. Pra, nuk flasim më për incidente sporadike, por për një fenomen të përsëritur, ku Autoriteti Kombëtar i Ushqimit del përherë i kapur në befasi dhe tregon hapur paaftësinë e tij. Në vend që të bëjë kontrolle serioze para se produktet të eksportohen, AKU zgjohet vetëm pasi bllokimi ndodh jashtë kufijve tanë.
Kjo është një goditje e dyfishtë: nga njëra anë,fermerët e ndershëm dëmtohen rëndë, pasi puna e tyre bie nën dyshimin e përgjithshëm; nga ana tjetër, emri i Shqipërisë përlyhet, duke u kthyer në sinonim të produkteve me pesticide. Ndërsa Kroacia shkatërron tonelata me produkte shqiptare, AKU shfaqet vetëm nëpër konferenca dhe komunikata boshe, duke bërë sikur kujdeset për sigurinë ushqimore.
Ironia më e madhe është se produktet që nuk kalojnë dot kufirin, me shumë gjasë qarkullojnë lirshëm në tregjet tona të brendshme. Pra, ndërkohë që Europa i refuzon, ne i konsumojmë pa asnjë problem në tryezat tona, të shitur si “bio” e “100% shqiptare”.
Përballë kësaj situate, pyetja mbetet e hapur: sa raste të tjera duhet të ndodhin që AKU të zgjohet nga gjumi? Dhe deri atëherë, kush mban përgjegjësi për shëndetin e qytetarëve dhe për dështimet e përsëritura në eksportet tona?