Hetimet për vrasjen e biznesmenit italian, Edoardo Sarchi duket se kanë marrë tjetër kthesë.
44-vjeçari, trupi i të cilit u gjet i pajetë anash rrugës në fshatin Salari të Tepelenës pak pas mesnatës së të premtes (27 Shtator), ka marrë vetëm një plumb në kokë.
Ndërkohë në polici është shoqëruar edhe Gazment Braçe, djali i ortakut të viktimës në fabrikën e tullave “Tegola Edil Centro” në kryeqytet, i cili ndodhej në vendin e krimit, por që ishte larguar.
Shkak i vrasjes paraprakisht dyshohen mosmarrëveshjet mes dy ortakëve, biznesmenit italian Edoardo Sarchi, si edhe shtetasit Eqerem Braçe, gjithashtu i shoqëruar nga policia.
Raportohet se baba e bir, Eqerem dhe Gazment Braçe, jetonin në Tiranë, ndërsa në fshatin ku ndodhi krimi kishin në banesë të cilën e kishin restauruar dhe ktheheshin herë pas here për të qëndruar.
Dëshmia e ortakut
Viktima kishte për gjah së bashku me 3 persona të tjerë, përfshirë ortakun e tij Eqerem Braçe dhe djalin e këtij të fundit, Gazment Braçe.
Raportohet se ata kanë udhëtuar drejt vendit ku ndodhi ngjarja me dy makina, një mjet tip Land Rover dhe një Volskwagen, të cilat u gjetën në vendngjarje nga policia.
Ka qenë ortaku i viktimës, i cili ka njoftuar policinë për vrasjen e 44-vjeçarit italian, i cili banonte në Tiranë prej 20 vitesh.
Në versionin e tij të dhënë për policinë, ka deklaruar se një person i ka dalë para automjetit dhe ka qëlluar në drejtim të tyre.
Ai është shprehur se ka tentuar t’i japë ndihmën e parë viktimës duke nxjerrë trupin nga automjeti dhe më pas ka njoftuar policinë.
Sipas tij, personi që i ka qëlluar është larguar në drejtim të paditur, dhe për shkak të errësirës s’ka mundur ta identifikojë.
Kjo dyshohet se është arsyeja se pse trupi i pajetë i 44-vjeçarit italian ndodhej jashtë makinës, sipas dëshmisë së dhënë nga Eqerem Braçe.
Përveç Eqerem Braçe dhe djalit të tij edhe një person tjetër i shoqëruar nga policia, identiteti i të cilit s’dihet ende, si edhe raporti që ka pasur me dy ortakët.



