Në prill të vitit të ardhshëm i përfundon mandati në krye të Partisë Demokratike, por Sali Berisha ka bërë të qartë se nuk do të tërhiqet nga gara për drejtimin e partisë.
I pyetur në emisionin “Opinion” nëse do të rikandidonte për një mandat tjetër, Berisha u shpreh prerazi se do të garojë përsëri. “Nuk ka tërheqje nga Sali Berisha përpara farsës. Absolutisht do të rikandidoj,” tha ai.
Duke iu përgjigjur pyetjes së moderatorit për mundësinë që PD të drejtohet nga një përfaqësues më i ri, ndërsa ai të mbetej si kryetar nderi ose supervizor, Berisha e përjashtoi këtë skenar: “Partia nuk funksionon me supervizor, funksionon me lider.”
Zgjedhjet brenda PD-së në vitin 2026 zhvillohen në një moment kritik për opozitën shqiptare, mes debateve të brendshme mbi lidershipin dhe drejtimin politik që duhet të ndjekë partia.