Një avion special dhe dy helikopterë amerikanë zbarkojnë në Serbi, alarmohet Moska

spot_img
Advertisements

Një avion i specializuar ushtarak i Forcave Ajrore të SHBA-së, MC-130J Combat Shadow II, ka zbarkuar në aeroportin e Nishit në Serbi ditën e djeshme. Një zhvillim që ka ngritur shumë pikëpyetje në qarqet rajonale të sigurisë, ndërsa raporti u publikua fillimisht nga mediat ruse.

Ky avion nuk është një mjet i zakonshëm transporti. I ndërtuar për operacione speciale, MC-130J shërben për infiltrimin dhe evakuimin e forcave speciale, operacione nate dhe në lartësi të ulëta, si dhe për furnizim ajror të helikopterëve në kushte të rrezikshme.

Sipas burimeve, avioni është pajisur me sisteme të avancuara navigimi dhe mbrojtjeje që i mundësojnë të operojë në terrene të papërshtatshme dhe kushte me dukshmëri të ulët. Aterimi i tij në Nish mbetet i pashpjeguar publikisht.

Analisti Andrej Mlakar nga RT Balkan, konfirmon se më parë në Nish kishin zbritur edhe dy helikopterë amerikanë UH-60 Black Hawk, të cilët qëndruan për një apo dy ditë dhe më pas u larguan. Ai thotë se MC-130J ka ardhur nga baza ushtarake kroate “Zemunik” në Zadar dhe është parë në hapësirën ajrore të Nishit.

Kjo klasë avionësh është përdorur më parë në operacione të fshehta në Bosnje e Hercegovinë gjatë viteve 1993-1995, nën emrin e koduar “Operacija Padobran”.

Gjithashtu, është raportuar se një avion pasagjerësh i ushtrisë italiane, i cili kishte ardhur nga Bejruti, ka zbritur në Nish dhe më pas ka vazhduar fluturimin. Mlakar thekson se një numër i madh avionësh të paidentifikuar kanë qarkulluar mbi Serbi kohët e fundit, çka rrit dyshimet për aktivitete të padeklaruara ushtarake ose diplomatike.

Hipotezat janë të shumta, nga përgatitjet për paradën ushtarake serbe të 20 shtatorit në Beograd, ku pritet pjesëmarrja e avionëve francezë Rafale, deri te mundësia që Serbia po shfrytëzohet si pikë ndalimi për forca që lëvizin drejt Lindjes së Mesme.

Në fokus është gjithashtu baza ushtarake “Jug” pranë Bujanocit, e përdorur për stërvitje ndërkombëtare dhe misione paqeruajtëse, ku nuk përjashtohet mundësia e aktivitetit të përbashkët me forca amerikane.

Latest articles

Related articles