Gazetari Edon Kuqi dhe operatori i SyriTv u dhunuan fizikisht dhe psikologjikisht teksa ndodheshin në stadiumin Selman Stërmasi për të pyetur aksionerin kryesor të kompanisë Air Albania, Sinan Idrizi, lidhur me largimin nga puna të dy sanitareve të kompanisë, të cilave – sipas denoncimeve – nuk u ishin paguar as sigurimet shoqërore.
Situata eskaloi edhe më tepër pasi Presidenti i klubit të Tiranës, Refik Halili, i mori me forcë telefonin gazetarit, duke e përfshirë edhe vetë në incident.
Gazetari Kuqi ka rrëfyer në studion e Syri tv me gazetaren Armela Ferko gjithçka ndodhi një ditë më parë. Ai ka denoncuar edhe heshtjen e institucioneve ligjzbatuese në vend që nuk hetojnë ngjarjen.
Edon Kuqi: Policia i ka të gjithë mundësitë dhe të gjitha kushtet që të nisë hetimet për ngjarjen. I mungon vetëm që të marrë hapin e radhës. Do e marrë apo nuk do e marrë le ta mbajë përgjegjësi policia e shtetit në këtë rast, edhe institucionet e tjera ligjzbatuese. Sepse realisht duhet një reagim sepse kjo nuk është një ngjarje e thjeshtë që ndodhi në rrugë ku dy të rinj u përplasen në rrugë me njëri – tjetrin dhe në fund u pajtuan.
Ajo ndodhi me dy personazhe që janë njerëz publikë, janë njerëz, biznesmenë në këtë vend. Ndërkohë që kishte edhe ata të tjerë që nuk ishin biznesmenë por ishin edhe ata që do mbronin biznesmenët nga…kush.
Nga një media që shkoi aty për të bërë dy-tre pyetje të thjeshta, të merrte një përgjigje dhe ti jepte një zgjidhje për dy zonja të nderuara që fatkeqësisht kanë mbetur rrugëve sot, se nuk marrin dot as asistence dhe tjetra ka dy paga për të marrë, ndërkohë që janë edhe familjet për tu mbajtur. Mbase ata nuk e dinë çdo të thotë të marrë 300 – 400 mijë lekë në muaj të çosh fëmijët në shkollë, të kujdesesh për vete, të paguash edhe faturat. Prandaj ju duket vetja edhe të paprekshëm…